Zonat e thella malore pa shërbim mjekësor
Të sëmuresh sot në zonat e thella rurale është problemi më i madh për banorët e fshatrave të thella malore, pasi shërbimi i urgjencës dhe autoambulancave nuk ekziston prej vitesh. Banorët e fshatrave të Kukësit rrezikojnë jetën, qoftë dhe nga një komplikacion i thjeshtë shëndetësor. Në shumë raste transporti drejt spitalit të Kukësit realizohet me kafshë ose në këmbë. Në zona të tilla si Shishtaveci, Bushtrica e Kalisi, banorët thonë se përballet gjithnjë e më shume me raste urgjente. Në komunat e thella nuk kanë munguar dhe rastet kur gratë kanë lindur në rrugë e sipër drejt spitalit, apo kur të sëmurët kanë vdekur gjatë rrugës. Sipas mjekëve të komunave ky problem mund të zgjidhet vetëm me stacionimin e një autoambulance në qendër të komunës. E njëjtë është kjo situate dhe për rrethet e Hasit e Tropojë.