Situata politike, reagon LSI/ “Negociata dhe jo politikë rruge”
LSI u shpreh dje se situata e krijuar në vend nuk mund të zgjidhet ndryshe përveçse sipas standardeve europiane, sipas praktikave europiane që do të thotë përmes dialogut politik dhe institucional. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi se zgjidhja nuk mund të vijë prej rrugës, kërcënimit apo dhunës.
“Zgjidhja nuk mund të vij prej rrugës, imponimit dhe as prej kërcënimit sepse praktikat e rrugës dhe të imponimit përmes saj nuk janë praktika europiane, dhe nuk vijnë në përputhje me interesat europiane të Shqipërisë. I ftoj drejtuesit e PS-së, të reflektojnë me përgjegjshmëri për të kuptuar domosdoshmërinë e uljes në dialogun politik, dhe dialogu politik bëhet në institucionet legjitime të vendit, dhe institucioni ku zhvillohet ky dialog është Kuvendi. Prandaj rikthimi në Kuvend do të krijonte momentin e parë për tu ulur palët në dialog dhe për tu dhënë mundësinë atyre të shpalosin alternativa që të çojnë tek procesi i rëndësishëm i transparencës, të çojnë tek funksionimi i komisionit hetimor parlamentar për gjithçka ka të bëj me zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, natyrisht në përputhje të plotë të kushtetutës së vendit dhe institucioneve legjitime të vendit”- u shpreh zyrtari i LSI-së.
Ai u shpreh se primare për çdo forcë politike janë interesat e vendit, pikërisht për shkak të rëndësisë që merr i gjithë procesi europianizues i Shqipërisë, nuk mund të jetë jashtë këtij procesi as politika shqiptare.
“Por që politika shqiptare të mbërrijë në standardet e politikës europiane duhet ti rikthehet dialogut dhe që ti rikthehet dialogut duhet të heqim kushtet paraprake apo gjuhën e imponimit. është e rëndësishme për fatet e vendit, për fatet e PS-së, që institucioni themelor i ballafaqimit të alternativave, është institucioni i dialogut politik, në institucionet e vendit, në respekt të parimeve themelore mbi të cilat organizohet një shtet i së drejtës, që ka të bej me ndarjen e pushteteve, me respektimin e autoritet kushtetues të pushteteve, e natyrshëm unë theksoi që LSI është e gatshme të kontribuojë për të gjetur pikat e bashkimit, për të gjetur atë që mund të çojë në konsensusin politik mes palëve në një zgjidhje politike në të mirë të interesave të vendit, interesat e vendit përjashtojnë egon personale të çdo lideri , interesat e vendit përjashtojnë protagonizmin absurd dhe i ftojnë palët të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit në dialogun politik”, tha më tej ai.