E Diel, 1 Nëntor 2026

Çdo forcë politike ka të drejtë të ngrejë kamping, por ne inkurajojmë vetëm dialogun

Deklaron kryeministri Berisha

Vetëm pak minuta para se opozita të shpallte falimentin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Sali Berisha u shpreh i gatshëm për dialog konstruktiv mes palëve. Kreu i qeverisë deklaroi këtë gatishmëri nga Durrësi, ku mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve të kalatës jugore të Portit, për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve. Berisha tha se shumica parlamentare është e gatshme për dialog dhe të shqyrtojë opsionet e opozitës, për zgjidhjen e ngërçit politik.
“Të jeni të sigurt se institucionet po funksionojnë me intensitet të plotë. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme, siç është një e vërtetë që një grevë, ose një kamping është vendosur para zyrave të mia, dëshmi madhore e funksionimit të demokracisë së këtij vendi. Qytetarët kanë patur dhe do kenë të drejtë të protestojnë edhe aty ku nuk ua pret mendja të tjerëve. Që do të thotë se gjërat ecin dhe do të thotë që çdo forcë politike bën zgjedhjet e veta. Unë mbetem i hapur për respekt të plotë ndaj opozitës, mbetem i hapur në respekt të opsioneve që opozita i gjykon më të përshtatshme, për veten e saj. Një gjë është e sigurte që qeveria ka për detyrë të krijojë hapësira, pastaj secila forcë është e lirë të marrë qëndrimet dhe vendimet që do”- u shpreh kryeministri Berisha.
Duke komentuar grevën e urisë që Partia Socialiste zhvilloi deri dje përballë selisë së kryeministrisë, Berisha tha tha se “kjo shenjë proteste e vendosur para zyrave të mia është dëshmia më e mirë e funksionimit të demokracisë”. “Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të protestojnë ku të duan. çdo forcë politike bën zgjidhjet e veta, por ne mbetemi të hapur ndaj çdo opsioni të opozitës”- theksoi edhe njëherë kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›