E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situatë tensioni në Rumani, sërish protesta masive

Vazhdojnë protestat disa ditore në Rumani, kundër politikës së kursimit të qeverisë së qendrës së djathtë. Situata dhe trazirat kanë agravuar dhe mësohet se një protestues u përfshi në një kohë të shkurtër nga flakët.
Në Bukuresht turma e protestuesve nuk kanë kursyer forcat policore, duke qëlluar mbi ta me gurë dhe mjete piroteknike.
 

Më herët, demonstruesit çanë një bllokim të forcave të sigurisë në drejtim të pallatit presidencial.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi disa persona. Demonstruesit kërkojnë zgjedhje të reja dhe largimin e presidentit të shtetit Traian Basescu, të cilin e akuzojnë për rritje të sjelljes autoritare.
 

Qeveria e Rumanisë ka thirrur një takim urgjent për të diskutuar rreth një vendimi ndaj përshkallëzimit të protestave kundër masave shtrënguese.
 

Agjencitë e lajmeve vendase bëjnë të ditur se mbi 50 persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore si pasojë e përleshjeve, ndërsa 40 të tjerë janë arrestuar nga policia.
Protesta paqësore mësohet të jenë mbajtur gjatë së dielës në qytete të tjera, si Timisoara dhe Iasi.
 

Protestuesit për katër ditë me radhë kanë kundërshtuar rënien e standardit jetësor, reformat kontroverse të kujdesit shëndetësor, tatimet e larta dhe korrupsionin.
Ndërkohë kryeministri Emil Boc u ka bërë thirrje protestuesve të ndalojnë dhunën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›