Ndryshimet që pëson mosha e pensioneve nga 2008-ta deri në vitin 2023 për çdo kategori
Jonida Tashi
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka përfunduar llogaritjen e rritjes që do të pësojë mosha e pensioneve dhe vitet e punës për të gjitha kategoritë. Llogaritja e moshës si dhe e viteve të nevojshme të punës për të përfituar pension llogaritet në bazë të kategorive të punëve që ka bërë aplikuesi për pension. Ndërsa lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës. Gradualisht, nga viti në vit rritet mosha e daljes në pension dhe shtohen vitet e punës deri sa nga data 1 korrik e vitit 2023 e në vazhdim minatorët e profesionet e tjera që kanë punuar në nëntokë do të dalin në pension të plotë në moshën 65 vjeç, kur të kenë punuar gjithsej 35 vjet të siguruar, pavarësisht se në cilin profesion kanë punuar.
Mosha
Mosha e pensioneve, për çdo vit, në datën 1 korrik rritet me gjashtë muaj, për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Nëse jeni në prag të daljes në pension, ose doni të dini se në çfarë viti dhe moshe do të jeni në statusin e pensionistit, por nuk jeni të mirëinforumuar se dhe sa kohë ju duhet për përfitmin e tij, nëpërmjet tabelave të mëposhtme, ju do të mësoni se dhe sa vite kalendarike dhe pune ju duhen për të plotësuar moshën për pension. Pas vendimit të qeverisë, të marrë në datën 1 korrik të muajit të mëparshëm, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kanë bërë llogaritjet e reja në përfitmin e pensionit. Gazeta “Albania” po boton sot të plotë tabelat e reja, të cilat tregojnë se në çfarë moshe dhe viti ju do të përfitoni pension, sa vite pune ju duhen nëse nuk i keni plotësuar ato, për të gjitha kategoritë dhe për të dyja gjinitë. Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti dhe deri më 30 qershor të vitit 2009, të gjithë ata persona që duan të përfitojnë pensione pleqërie duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj si dhe duhet të kenë 35 vite pune të siguruara.
Kategoritë
Specialistët e Institutit të Sigurimeve shoqërore (ISSH) sqarojnë se për punë të kategorisë së parë, mosha për të dalë në pension si për burrat ashtu edhe për gratë nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Por ndryshe nga dy kategoritë e tjera, këtu shënohet rritje e viteve të nevojshme për të përfituar pension pleqërie. Kështu, periudha e sigurimit të viteve është përcaktuar 29 për burrin dhe 29 për gruan. Për punë të kategorisë së dytë, mosha për të përfituar një pension pleqërie shtyhet me disa vite më shumë për burrin dhe për gruan. Kështu, 62 vjeç e 6 muaj për burrin dhe 57 vjeç e 6 muaj për gruan është mosha optimale për të përfituar një pension pleqërie, nga 1 korriku 2008 deri më 30 qershor 2009. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për këto kategori është 35 vite pune. Për punë të kategorisë së tretë, mosha për t’u bërë përfitues i një pensioni pleqërie është rritur me 6 muaj. Pra, për të përfituar pension brenda kësaj periudhe kohore, burrat duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj, ndërsa gratë 58 vjeç e 6 muaj. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë mbetet e njëjtë me atë të kategorisë së dytë me 35 vite vjetërsi pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune.
18 Gusht 2008