E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Vogël me fasadë të re të ndërtesave përgjatë rrugës



Emanuela Sako
Territori i Unazës së Vogël në kryeqytet do t’i nënshtrohet lyerjes së ndërtesave përgjatë gjithë rrugës. Fasada e banesave përgjatë rrugës pritet të marrë pamje tjetër nga ajo e mëparshmja. Kjo është hera e dytë që ndërtesat i nënshtrohen lyerjes me bojra shumëngjyrëshe, pas asaj që ka bërë Bashkia e Tiranës pak vite më parë. Por, këtë herë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka përzgjedhur projektin britanik për të bërë ndryshimin e ri të fasadës së ndërtesave përgjatë kësaj rruge. Kështu, banorët do të përfitojnë nga rasti për t’u ndjerë më rehat në shtëpitë e tyre, duke parë ndërtesat që ndryshojnë “fytyrë” dhe rifreskimin e ngjyrave. Projekti parashikon shumëllojshmëri ngjyrash në pjesën e dukshme nga rruga kryesore të pallateve.
Unaza e Vogël
Kjo zonë e kryeqytetit vetëm pak kohë më parë i është nënshtruar rikonstruksionit të rrugës dhe menjëherë pas përfundimit të punës, është vendosur që të marrë pamje tjetër në bazë të ngjyrave. Burime zyrtare të pushtetit vendor, pohojnë se kjo gjë, do të rrisë vlerën e ndërtesave në tregun e pasurive të paluajtshme. Tashmë pritet që Bashkia e Tiranës të lejojë fillimin e punimeve dhe të përgatisë terrenin për lyerjen e pallateve. Bashkia e Tiranës, shpeshherë ka bërë projekte me bashkëpunime të firmave të huaja për të ndryshuar pamjen e kryeqytetit, duke ruajtur tradicionalen dhe duke e ndërthurur me modernen. Të tilla raste kanë qenë projektet e firmave të huaja për ridimensionimin e sheshit “Skënderbej” apo të Liqenit Artificial të Tiranës.
Fasada
Rreth 240 ndërtesa do t’i nënshtrohen lyerjes përgjatë gjithë rrugës. Një grup dizenjatorësh Britanikë tashmë kanë projektuar dhe përzgjedhur të gjitha ngjyrat dhe format artistike që do të pikturohen në të gjitha pallatet, duke bërë të mundur që ato të rifreskohen dhe të marrin një pamje tjetër. Kjo është një ndër zgjidhjet e bashkisë, për të bërë kryeqytetin me ngjyra dhe për ta bërë më të ngrohtë dhe të afërt nëpërmjet tyre. Sipas bashkisë, kjo është një mënyrë për të ridimensionuar gjithë qytetin dhe jo vetëm pjesë të veçanta të tij.

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” formular për denoncimin e korrupsionit

Spitalet po ndjekin mënyra të ndryshme për të shmangur korrupsionin në qendrat e tyre. Mjekët e Spitalit Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë po bashkëpunojnë me pacientët për të denoncuar çdo rast korrupsioni në këtë institucion. Mjekët, në këtë spital, janë të mendimit se kjo mënyrë do të shmangte abuzimet nga ana e mjekëve dhe gjithçka do të ishte më e lehtë si për mjekët dhe për pacientët. Kështu, të gjithë pacientët e këtij spitali do të pajisen nga drejtoria e spitalit “Mbretëresha Geraldinë” me formularë të posaçëm, përmes të cilëve ata mund të denoncojnë rastet e korrupsionit apo sjelljet e pahijshme të mjekëve. Ndërkohë që në dispozicion të tyre, për këtë qëllim, është vënë dhe një numër telefoni.
Drejtori i këtij spitali, Halim Kosova, shprehet se një hap i tillë ndihmon në parandalimin dhe kapjen në kohë të problemeve, por dhe në motivimin më të mirë të personelit mjekësor. Në formularin përkatës, përveç denoncimit të ndonjë abuzimi nga stafi mjekësor, pacientet mund të japin mendimet e tyre edhe rreth kushteve spitalore, cilësinë e ushqimit. Po ashtu ata mund të japin mendime edhe rreth procesit të pranimit në spital, kohës së kryerjes së analizave dhe mjekimeve, si dhe rreth mënyrës së sjelljes dhe anës profesionale të infermiereve, apo të mjekëve.

18 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›