Tirana dhe Prishtina, vetëm 3 orë larg. Berisha e Thaçi inaugurojnë 40 km e para të autostradës Vërmicë – Merdare
Berisha: “Rruga e Kombit”, bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar
Kryeministri Sali Berisha, me ftesë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të segmentit të parë të autostradës Morinë-Merdare, pjesë e arteries infrastrukturore të njohur si rruga kombit Durrës-Morinë-Prishtinë. Kryeministri Berisha u bashkua në Vermicë (rreth një kilometër nga pika kufitare e Morinës), me Presidenten e Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga, Kryeministrin Hashim Thaçi, kongresmenin amerikan Eliot Engel dhe sëbashku prenë shiritin e inaugurimit të përfundimit të 38 kilometrave të para të kësaj autostradës prej 103 kilometra. Ky segment është vazhdim i autostradës Durrës-Morinë, nga pika kufitare Morinë dhe përfundon në dalje të Suharekës, ku lidhet me rrugën magjistrale Prizren - Prishtinë, për të vazhduar deri në Merdare. Me përfundimin e kësaj autostrade, Kosova do të lidhet me Shqipërinë, portet e brigjet e saj, me një infrastrukturë të standardeve më të larta bashkëkohore, që shkurton distancat dhe kohën e lëvizjes. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe mbarë shqiptarët, për inaugurimin e kësaj rruge, duke e cilësuar atë “autostrada e së ardhmes së Kosovës”. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: Sot, me ne këtu, në Vermicë është mbarë kombi shqiptar, janë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni, Malin e zi, në diasporë e kudo që janë. Sot, ata gëzojnë së bashku me ne, inaugurimin në Kosovën e lirë e të pavarur, të kësaj rruge madhështore, të kësaj autostrade që bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar, në idealin e Prizrenit, në idealin e pavdekshëm të grave e burrave që sakrifikuan e derdhën lumenj gjaku në kryengritjet e tyre të mëdha për të bërë Shqipërinë e pavarur, në idealin e atyre që sakrifikuan e derdhën lumenj gjaku për të bërë Kosovën të lirë e të pavarur, në nderimin më të madh të arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit mendjendritur të kombit shqiptar Prof. Dr. Ibrahim Rugovës.
Vëllezër e motra,
Në më pak se tre vjet, Kosova i dhuron qytetarëve të saj, kombit, por edhe rajonit Europës në tërësi një kryevepër të punëve publike. Dje, në Tiranë, një mik i imi do të më thoshte se kishte kaluar në autostradë dhe i ishte dukur sikur ishte në një dhomë pritjeje, por, në të vërtetë, ishte në dhomën e së ardhmes. Autostrada që ndërtohet është autostrada e së ardhmes së Kosovës. Ndaj unë dua të përshëndes shumë përzemërsisht Kryeministrin, qeverinë, parlamentin, forcat politike të Kosovës, të gjithë, për sakrificën e madhe që bënë. Në një kohë të vështirë angazhuan të gjitha resurset, për të ndërtuar rrugën më të rëndësishme për Kosovën, Shqipërinë, por, absolutisht, edhe korridorin më fizibël për të gjithë rajonin.
Qytetare e qytetarë të Kosovës,
Kjo është një rrugë me domethënie të madhe. Ajo shënon një agim të ri të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës investon për të ardhmen e shkëlqyer europiane të qytetarëve të saj. Është rruga e zhvillimit të shpejtë të Kosovës, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj.
Nuk ka këngë që mund të thurej më bukur se ç’është rruga, nuk ka poemë që mund të shprehte madhështinë e saj. Ndaj, unë nuk do të vazhdoj më me fjalët e mia, se jam i bindur se më bukur se çdo gjë tjetër flet ajo vetë, vetëm t’u uroj edhe një herë nga zemra gëzuar këtë vepër të madhe, qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë”.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: Autostrada Shqipëri – Kosovë, thyen barrierat e së kaluarës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh sot gjatë ceremonisë së inaugurimit të 38 km të autostradës Vermicë – Merdare, pjesë e “Rrugës së Kombit”, Tiranë – Prishtinë, se ndërtimi i autostradës është një investim strategjik për zhvillimin e Kosovës. Thaçi theksoi se “projekti për ndërtimin e autostradës ndan epokat, është projekti i shekullit të ri, të lirisë, pavarësisë dhe integrimit”. “Ky projekt hap kufijtë dhe i demokratizon ata”- u shpreh Thaçi. Kreu i qeverisë së Kosovës e cilësoi autostradën “Ibrahim Rugova” si projektin më të madh dhe më modern në historinë e vendit. Sipas tij, “Rruga e Kombit” është civilizim dhe emancipim që ndan botën e re nga e vjetra. “Ka kaluar një dekadë që kur kemi kaluar mbi tela me gjemba e kufij të ndarë dhe për këtë ditë që shohim sot është bërë luftë e gjatë, por sot ëndrra po bëhet realitet. Kjo është autostrada e jetës së re dhe e qytetarëve që hap kufijtë dhe thyhen barrierat e së shkuarës, duke hapur një horizont më shumë për qytetarët”- deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: Kosova dhe Shqipëria po shkurtojnë distancat
Presidentja kosovare Atifete Jahjaga deklaroi se “Rruga e Kombit” është një ëndërr që bëhet realitet. Sipas Jahjagës, Kosova dhe Shqipëria po shkurtojnë distancat. “Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe shteteve. Është lidhja jonë me korridoret e rëndësishme europiane. Politikat e koordinuara do të na bëjnë anëtarë të lrie e të barabartë të Bashkimit Europian”- theksoi Jahjaga. Presidentja kosovare nenvizoi se “Rruga e Kombit” po realizohet me mjetet e buxhetit, çka dëshmon përkushtimin e institucioneve në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit.
Kongresmeni Eliot Engel: Demokracia po funksionon aty ku dikur s’mund të imagjinohej
“Në një kohë kur disa vende po i mbyllin dyert dhe kufijtë e tyre, Kosova po i hap ato”. Kështu u shpreh senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, sot gjatë ceremonisë së përurimit të kilometrave të para të autostradës Morinë-Merdarë. Ai siguroi më pas se përkushtimi i SHBA-ve ndaj Kosovës do të vijojë edhe në të ardhmen. “Demokracia, sot po lulëzon, aty ku dikur ajo nuk ekzistonte”- tha Engel.
...