E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska BE për Serbinë pa e zgjidhur problemin e Kosovës

Serbia duhet ta ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës nëse dëshiron të vazhdojë rrugën e filluar evropiane, ka porositur eurodeputetja gjermane Doris Pack në një tryezë të rrumbullakët në Berlin.

Gjithnjë derisa të mos zgjidhet problemi me Kosovën, Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian, pohon Doris Pack. As ndarja eventuale e Kosovës nuk do të zgjidhte problemin ekzistues. Ai mund të zgjidhet vetëm nëse serbët në Kosovë marrin fatin në duar të veta porosit eurodeputetja.

"Problemi më i madh i Serbisë është ai që Kosova është fqinji i saj më i afërt, të cilin nuk dëshiron ta njohë", thotë ajo.

"Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është jashtëzakonisht i keq dhe ai duhet të ndryshojë. Serbët e Kosovës duhet të aktivizohen dhe të përfshihen në hartimin e politikës së vendit të vet, ndërsa shansin më të madh e kanë në zgjedhjet lokale gjatë të cilave do të mund të të fitojnë vende në këshillat komunale të Kosovës", vlerëson Pack.

"Nëse serbët në Beograd serbëve të Kosovës u thonë se nuk duhet të angazhohen politikisht në zgjedhje ose të mos dalin në zgjedhje, sepse në të kundërtën nuk do të marrin ndihmën financiare, atëherë mendoj se kjo nuk është rruga e drejtë me të cilën do të vendosej raporti i mirë fqinjësor", thotë Pack.

"Serbët në Kosovë këtë vërtet edhe duhet ta bëjnë. Në këtë mënyrë do të kontribuojnë që shteti i vogël i Kosovës të mbetet i qëndrueshëm. Kjo është në interesin e serbëve dhe tërë rajonit", përfundoi Pack. /qik/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›