Marseille në krizë

Presidenti i Olympique Marseille, Vincent Labrune, i ka dhënë trajnerit Didier Deschamps votën e besimit pas spekulimeve se strategu i famshëm francez rrezikon të shkarkohet, pas fillimit katastrofal të sezonit në Ligue 1.
Deschamps, 42 vjeç, më 2010 udhëhoqi Marseillen drejt titullit të tij të partë në Ligue 1 pas 18 viteve,, por skuadra e tij është paraqitur jashtëzakonisht dobët në javët e kaluara dhe aktualisht ka bilanc prej tri fitoreve dhe tri humbjeve nga gjashtë xhirot e para dhe gjendet në fund të tabelës.
Disfata 2-0 nga Lyon të dielën ishte më e reja në serinë negative, por Labrune e përkrah kapitenin triumfues të Francës në Kampionatin botëror 1998. “Jo, ai nuk është i rrezikuar. Ai i ka çelësat e skuadrës për një kohë të gjatë”, tha Labrune për të përditshmen La Provence.
“Ne duhet të reagojmë dhe ata që e duan Marseillen duhet ta përkrahin trajnerin dhe të tregojnë solidarizimin e tyre në këto momente të vështira. Didier Deschamps ka besimin tonë”, shtoi ai. Drejtori sportiv i Marseilles, Jose Anigo, beson se futbollistët duhet të marrin përgjegjësi për përmirësimin e rezultateve.
“Gjëja më e rëndësishme është pozita në fund të sezonit. Por, sot jemi të fundit dhe sigurisht se nuk është e kënaqshme”, tha ai. “Kam zemrën e rënduar dhe jam i dëshpëruar njësoj si futbollistët në zhveshtore. Ne duhet të rikthejmë vetëbesimin. U takon futbollistëve, ata kanë çelësin për tejkalimin e problemit”, shtoi ai.
Pavarësisht humbjes – që erdhi pas golave nga Bafetimbi Gomis dhe Michel Bastos – paraqitja e Marseilles ishte inkurajuese dhe me një përfundim të mirë të aksioneve, ata mund të ishin kthyer nga Stade Gerland me së paku një pikë. Por, Deschamps nuk fshehu faktin se skuadra e tij ka vuajtur.
“Është goditje e rëndë, të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën aktuale, nuk duhet të kërkojmë arsyetime”. “Prioriteti është Evian, të marrim pikë sepse tri pikë nga gjashtë ndeshje nuk janë të mjaftueshme”, theksoi ai.
Deschamps u ka bërë thirrje futbollistëve të tij t’i japin fund serisë negative. “Ne duhet t’i bashkojmë forcat, të tregojmë karakter dhe personalitet. Ka momente brenda sezonit ose karrierës kur gjërat bëhen shumë të vështira. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm, por nuk duhet të mbajmë kokat poshtë. Kjo është jetë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund këtij trendi negativ”, përfundoi Deschamps.