“S’ka mëdyshje, pas 6 marsit zbatohet ligji për mandatet”
Flet kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan
Shefi i delegacioni të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, shprehet se ngërçi politik në Shqipëri, përbën një faktor negativ të rrezikshëm, për aspiratat e integrimit evropian. Përmes një prononcimi për mediat, Lohan deklaron edhe njëherë se gjetja e një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës, duhet bërë për hir të proceseve të integrimit të Shqipërisë. Duke u ndalur te tryeza e Presidentit, Lohan, thotë se kjo nismë po iniciohet në çastin e duhur, pasi sipas tij, Presidenti ka një rol të rëndësishëm për ta ndihmuar vendin të dalë nga ngërçi institucional dhe arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.
“Unë jam optimist se ne mund të gjejmë një zgjidhje për këtë situatë. Shqipëria është e interesuar që ky rast të mos dështojë. Ajo nuk duhet ta konsiderojë situatën në të cilën nuk mund të gjejë një zgjidhje. Besimi im bazohet tek logjika. Integrimi në Bashkimin Evropian është kaq i rëndësishëm për Shqipërinë. Ai mbështetet nga drejtuesit politikë në vend, ai mbështetet nga shqiptarët... Në këtë kontest, si mund të supozojmë që politikanët e Shqipërisë të mos përfitojnë nga mundësia që ka krijuar presidenti i republikës për t’i dhënë fund kësaj situate, e cila do ta rrezikonte integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Lohan.
Shefi i delegacionit të KE-së, Lohan, deklaroi se bojkoti duhet të marrë fund para 6 marsit, datë kjo kur mbaron edhe afati kushtetues për opozitën.
Data 6 mars është vërtetë një datë e rëndësishme. Ekziston edhe data 6 mars, pasi kjo është data e skadimit të mandateve. Opozita duhet të jetë në parlament që në datën 4 mars që është edhe seanca plenare”, deklaroi Lohan.
Lidhur me vizitën e monitoruesve të Këshillit të Evropës në Tiranë, Lohan shtoi se përfaqësuesit ndërkombëtarë presin hapa konkretë për të ecur përpara.
Lohan nuk e konsideron situatën politike në Shqipëri si një krizë institucionale, por vëren se kemi të bëjmë me një funksionim jo plotësisht normal të demokracisë.
Sipas tij, parlamenti shqiptar është duke vijuar punën në mënyrë të rregullt dhe me kapacitet të plotë, por shtoi ai, parlamenti nuk ka mundësi të miratojë ligje të rëndësishme me një mazhorancë të kualifikuar.
“Parlamenti funksionon, por në një mënyrë shumë të kufizuar. Parlamenti nuk ka mundësi të miratojë ligje të rëndësishme me një mazhorancë të kualifikuar. Parlamenti nuk e ka mundësinë të diskutojë një pjesë ligjesh, të cilat kanë rëndësi për vendin. Ata nuk kanë mundësinë të dëgjojnë argumentet e opozitës. Parlamenti nuk ka mundësinë të marrë vendime të rëndësishme për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Ky është një problem shumë i madh. Mosfunksionimi i parlamentit shqiptar përbën një problem shumë të madh për funksionimin normal të demokracisë në Shqipëri”, tha më tej, përfaqësuesit i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.