E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk pati asnjë provë të numërimit të parregullt ose të manipulimit të rezultateve”

Raporti përfundimtar i Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 në Shqipëri *

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. Këto përmirësime të konsiderueshme u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit lidhur me numërimin e votave dhe hartimin e tabelave të rezultateve, gjë që përkohësisht bllokoi procesin e numërimit në disa zona, si edhe nga shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore. Këto veprime të partive politike lëkundën besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Pavarësisht kufizimeve të mëdha kohore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i përgatiti dhe i administroi zgjedhjet me profesionalizëm, si dhe mori një sërë hapash për rritjen e transparencës së procesit. Mbledhjet e KQZ-së ishin përgjithësisht transparente dhe u zhvilluan me profesionalizëm. Megjithatë, shpesh KQZ-ja pati ndarje përgjatë linjave politike mazhoritare-minoritare, veçanërisht rreth çështjeve më të debatueshme.
Një zhvillim i rëndësishëm pozitiv kishte të bënte me listën e zgjedhësve, e cila për herë të parë u hartua mbi bazën e Regjistrit elektronik Kombëtar të Gjendjes Civile, dhe jo nga
dokumentacioni i mbajtur në nivel vendor. Raportet e bëra nga vëzhguesit e MNVZ-së ditën e zgjedhjeve tregojnë se cilësia e listave të zgjedhësve është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.
Një projekt tjetër i madh i Qeverisë ishte lëshimi kartave të reja dhe të sigurta të identitetit për të gjithë shtetasit. Prioritet ishte pajisja e rreth 730,000 zgjedhësve me karta identiteti. Këta zgjedhës kishin të drejtën e votës, por nuk dispononin pasaportë të vlefshme, të vetmin dokument tjetër identifikimi për votuesit. Duke pasur parasysh kufizimet e ndryshme, fushata e shpërndarjes së kartave të identitetit ishte përgjithësisht e suksesshme dhe vendosi bazën për një sistem solid të identifikimit të zgjedhësve.
Të 34 partitë që i kontestojnë këto zgjedhje, patën mundësi të bënin fushatë të lirë në të gjithë vendin.
Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë. Gjatë hapjes së qendrave të votimit, u vunë re probleme për sa i përket regjistrimit të numrave serialë të vulave të kutive të votimit dhe mungesës së materialeve zgjedhore. Vëzhguesit e vlerësuan votimin pozitivisht në 92 % të qendrave të votimit të vizituara por vunë re një numër shkeljesh procedurale.
Numërimi i kutive u vlerësua si i keq ose shumë i keq në 22 nga 66 Vendet e Numërimit të Votave (VNV). Vëzhguesit e MNVZ-së vunë re mangësi procedurale të cilat dukej se ishin pjesërisht pasojë e trajnimit dhe udhëzimeve të pamjaftueshme. Nuk pati asnjë provë të numërimit të parregullt ose të manipulimit të rezultateve, dhe, përveç bllokimit të numërimit në disa prej VNV-ve, nuk pati as ndonjë parregullsi të madhe në VNV.
Numri i apeleve që u dorëzuan në KQZ (34 apelime) pas zgjedhjeve, ishte shumë më i ulët në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
Gjithsesi, ndryshimet në tabelat e rezultateve për zonat zgjedhore të bëra pas procesit të apelimit, u kaluan me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm të KQZ-së. Vendimet mbi shpërndarjen e mandateve për të dymbëdhjetë zonat dhe deklarata e rezultateve përfundimtare u kaluan gjithashtu me unanimitet.
Pesë vendime të KQZ-së mbi apelimet paszgjedhore u kundërshtuan në Kolegjin Zgjedhor. Në total, u depozituan 12 apelime kundër këtyre vendimeve, prej të cilave Kolegji Zgjedhor u shpreh vetëm në favor të njërit. Seancat në Kolegjin Zgjedhor u zhvilluan në mënyrë profesionale dhe vendimmarrja u duk se ishte e shpejtë.

* Varshavë, 14 shtator 2009

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›