E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’ka rritje taksash, Rama të merret me kujtimet”

14/11/2011  Kryeministri merr pjesë në panairin e komunave të Tiranës

Gjatë vizitës së panairit të agrobiznes-turizmit, organizuar nga disa komuna kufitare të Tiranës (Farkë, Petrelë, Baldushk dhe Bërzhitë) kryeministri Berisha premtoi se nuk do të rrisë taksat për fermerët. Duke vlerësuar potencialin e madh turistik që kanë këto komuna, shefi i qeverisë premtoi kthimin e syve të turistëve drejt kodrave dhe maleve të vendit tonë. Ndërkohë kundërshtarit të tij politik i sugjeroi që të lërë politikën dhe të merret me kujtimet e tij. “Dua t’ju garantoj se qeveria jo vetëm që nuk do të rrisë taksat, siç kërkon zoti Rama, me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur dhe, në qoftë se ti rrit taksat, siç thua, për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra mijë vende pune, nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd, por kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më. Merru më kujtimet e tua”, - tha kryeministri në fjalën e tij. Shefi i ekzekutivit gjithashtu deklaroi se pushteti vendor do të marrë kompetenca për zhvillimin e njësive të qeverisjes vendore sipas interesit të familjarëve të tyre. “Me ministrin e Bujqësisë dhe një grup të veçantë ne po punojmë që t’u japim juve ato kompetenca që as qeveria nuk i ka sot, por i ka vetëm parlamenti, dhe do t’jua japim juve që të mbillni çdo pëllëmbë tokë në komunat tuaja, në interesin më të mirë të çdo familjeje në këtë vend. Ne po shtrijmë infrastrukturën, ne do t’ju garantojmë rrugë të asfaltuara kudo që jeni. Por jeni ju zotër të tokës dhe ju takon juve t’i shndërroni komunat tuaja në prodhimin më të fuqishëm në rrethin e Tiranës dhe në Shqipëri”, - vijoi numri një i qeverisë shqiptare. Qëllimi i organizimit të panairit është promovimi i prodhimeve tradicionale si dhe për të promovuar këtë zone piktoreske në periferi të kryeqytetit, e cila është bërë më e prekshme dhe më e afërt për turistët vendas dhe të huaj për shkak të kompletimit të infrastrukturës me rrugë kombëtare dhe dytësore. Ky promovim nisi me turin e një grupi motoristësh shqiptarë, të cilët me “Harley Davidson”-ët e tyre përshkruan rrugët që lidhin këto 4 komuna me njëra-tjetrën, por që janë ende të pazbuluara nga qytetarët e Tiranës dhe turistët.

Vizita në Norvegji

Zhvillimet ekonomike në Shqipëri, reformat ekonomike e fiskale të qeverisë shqiptare dhe veçanërisht potencialet e mëdha që ofron Shqipëria dhe klimën tepër të favorshme për investimet në vend do të jenë kryefjala e Kryeministrit Berisha gjatë vizitës së tij në Norvegji. Ai do të takohet dhe do të zhvillojë bisedime me personalitete të larta të këtij vendi. Së bashku me një delegacion me përfaqësues të bizneseve shqiptare, kryesisht në fushën e energjetikës dhe të teknologjisë së informacionit, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në forumin ekonomik të organizuar nga shoqatat norvegjeze që përfaqësojnë bizneset e hidroenergjetikës dhe teknologjisë së informacionit. Shefi i qeverisë do të ftojë sipërmarrësit norvegjezë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar se çdo projekt i tyre këtu do të jetë një histori suksesi për ta. Po ashtu ai do të takohet me përfaqësues të bizneseve të mëdha norvegjeze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›