Ilaçet, peng lista e rimbursimit
• Ndërsa gjasat për një listë rimbursimi të re me më shumë ilaçe janë të pakta, miratimi përfundimtar i saj vijon të mbetet pezull.ZIRINA LLAMBROKjo në kohën kur kanë kaluar 3 muaj tashmë që nga fillimi i këtij viti. Burime nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se, puna nga komisioni teknik i hartimit të listës ka përfunduar dhe pritet të vihet vetoja nga komisioni i rishikimit të skemës. Ndërkaq ende nuk është vendosur për propozimin e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, sipas të cilit, pacientëve duhet t’u ofrohen dy lista barnash me rimbursim. Njëra prej tyre e financuar 100% nga ISKSH-ja, ndërsa tjetra me bashkëpagesë. Nuk dihen arsyet e këtyre vonesave nga Ministria e Shëndetësisë, e cila një vit më parë publikoi që në dhjetor skemën e ilaçeve me rimbursim. Lista, pasi u miratua nga qeveria hyri në fuqi më 1 prill të 2007. Vetë ministri Ndoka në deklaratat e tij të disa javëve më parë nuk premtoi futjen e medikamenteve të reja në skemë, por vetëm një rishikim të plotë të saj. Kjo, sipas tij, me qëllim përmirësimin e cilësisë së ilaçeve që u ofrohen pacientëve. Por ministri nuk dha asnjë argument për mënyrën sesi do ta vërë në zbatim këtë premtim, ku fondi që i është akorduar ISKSH-së për ilaçet është 4.2 miliardë lekë, rreth 5% më pak se nevojat aktuale të këtij instituti për mbulimin e shërbimit. Pikëpyetje vihet edhe për cilësinë e ilaçeve që do të marrin të sëmurët. Edhe vitin e kaluar që lista e barnave u konsiderua “e shëndetshme” ankesat e kategorive të ndryshme përfituese për ilaçe të paefektshme ishin të shumta. Më shumë zërin e ngritën pensionistët, sipas së cilëve, ilaçet cilësore e të shtrenjta u ishin zëvendësuar me alternativa të lira e pa asnjë efekt. Pamundësinë e futjes së ilaçeve të reja me rimbursim për këtë vit e ka pranuar edhe vetë drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. “Aktualisht lista që kemi është mjaft e gjerë, ajo mbulon 94% të sëmundjeve kronike dhe me fondet që kemi në dispozicion, e mbulojmë këtë listë, por e shoh të vështirë mbulimin e barnave të reja me këto fonde”, ka deklaruar ajo. Një nga arsyet e dhëna për mungesën e fondeve është masa e kontributit që qytetarët derdhin për shëndetin. Aktualisht ajo është më e ulëta në të gjithë rajonin. Shqiptarët japin për shëndetin vetëm 3.4% të pagës, dhe sipas specialistëve, me këtë kontribut nuk mund të mbulohet kostoja e rimbursimit të medikamenteve dhe jo më në sektorin spitalor. Për të ndryshuar këtë situatë pritet miratimi i një projektligji të ri të hartuar nga ISKSH-ja, i cili parashikon rritjen deri në 7.5% të kontributeve shëndetësore. Shehu: S’ka mekanizma për kontrollin e cilësisë së ilaçeveNë vendin tonë nuk ka asnjë strukturë apo mekanizëm që kontrollon cilësinë e vërtetë të medikamenteve. Dje në komisionin parlamentar të Shëndetësisë është diskutuar ngritja e hallkave të nevojshme të implementimit e farmakovigjilencës, (procesi që identifikon riskun nga produktet medicinale). Kreu i këtij komisioni, Tritan Shehu, është shprehur se këtë shqetësim Ministria e Shëndetësisë duhet ta shohë me shumë seriozitet. “Farmakovigjilenca mungon pothuajse plotësisht, duke u bërë problematike në përmirësimin e kostos së mjekimit dhe detyrimisht në një politikë farmako-ekonomike sa më racionale”, tha Shehu. Ai shtoi se, i mëshohet fort çmimit të medikamentit dhe lihet mënjanë cilësia e tyre dhe në këtë mënyrë nuk bëhet gjë tjetër veçse rritet kostoja e mjekimit. “Konkretisht, nëse të sëmurit i aplikohet një medikament, i cili për një arsye apo tjetrën është me një çmim të ulët në treg, kur nuk ka sasinë e veprimit të vërtetë të medikamentit, atëherë në ciklin e dytë të kurimit ai do të detyrohet të marrë medikamente më të shtrenjta, sepse ai i pari nuk ka dhënë efektin e duhur. Pra, në këtë mënyrë jo vetëm që dëmtojmë shëndetin e njeriut, por rrisim shumë dhe koston e mjekimit”, theksoi Shehu. Me këtë logjikë sipas tij, duhet të përmirësohet edhe lista e rimbursimit të ilaçeve, ku çmimi dhe cilësia duhet të jenë në të njëjtën vijë. Projektligji, ja kush do ofrojë sigurimet privateProjektligji i ri që pritet të miratohet nga qeveria, veç dyfishimit të kontributeve shëndetësore të detyruara, synon rregullimin më të plotë ligjor të çështjes së sigurimeve private në Shqipëri. Eshtë parashikuar që sigurimi suplementar shëndetësor mund të ofrohet nga persona juridikë të regjistruar në gjykatë dhe në shoqëri të ndërsjella shëndetësore. Ky sigurim lidhet tërësisht me tregun privat dhe nuk do të jetë i njëjtë me sigurimin e detyruar. Shërbimin bazë do ta financojë vetëm sigurimi i detyrueshëm, kurse sigurimi suplementar do të jetë një sigurim komplementar. Nga ana tjetër, kuadri i ri ligjor lejon mundësinë e krijimit për herë të parë të një fondi për shëndetin, të ndarë nga buxheti i shtetit. Ai do të sigurojë, sipas drejtuesve të ISKSH-së, fleksibilitet në financimin e shërbimeve shëndetësore, transparencë në administrim dhe besueshmëri maksimale të të siguruarve që kanë derdhur kontribute pranë tij.