E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka zhvillim pa borxhe

Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa hyrë në borxhe. Sado e dhimbshme që duket kjo situatë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, vlerëson se kjo është mënyra e vetme e financimit të projekteve madhore të Qeverisë së Kosovës.

Me këtë deklaratë ai ka forcuar qëndrimin e mëhershëm të Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e Autostradës me hua nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Megjithatë, numri një i BQK-së thotë se duhet pasur kujdes me shumën e borxheve, në mënyrë që ta mos ngarkojnë së tepërmi shtetin më të ri në botë.

“Projektet që janë lansuar nga Qeveria e Kosovës janë projekte që do ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik në Kosovë, megjithatë nuk duhet të ketë ngarkesa shumë të mëdha”, ka pohuar Rexhepi.

Sipas tij, në fund të dhjetorit është aprovuar Ligji për borxhet publike që e rregullon çështjen e borxheve në përgjithësi dhe aty përcaktohen edhe limitet sa mundet Qeveria të marrë hua.

Shpresat më të mëdha, sipas Rexhepit, për të financuar projektet e parapara mbeten te Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare të afërta me të.

Në anën tjetër, zyrtarët e Bankës Botërore kanë deklaruar se së paku për dy vitet e ardhshme ky institucion nuk do të financojë asnjë projekt infrastrukturor në Kosovë.
“Në këto 2 vite nuk e kemi në plan sektorin e transportit. Burimet tona janë të limituara dhe ne duhet të jemi më selektivë në financimin e projekteve kapitale”, pati thënë për Express, Jane Armitage, drejtoreshë e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore.

Ekspertët e këtij institucioni si nga zyra në Kosovë, ashtu edhe në Washington, janë përfshirë direkt në hartimin e projekteve më madhore të Qeverisë, por asnjërin prej këtyre nuk do ta përkrahin tani për tani financiarisht.

Pavarësisht kësaj, njohësit e ekonomisë në Kosovë thonë se nuk ka shumë alternativa për të pasur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Alban Hashani nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, thotë se mënyra e vetme për t’i mbuluar kërkesat për investime janë huat nga jashtë ose ngritja e taksave.
Në të dyja rastet ai thotë se Qeveria duhet të jetë me sy çelur dhe më transparente.

Përveç kësaj, kreditë e mundshme nga institucionet financiare ndërkombëtare në këtë kohë, ai thotë se nuk janë edhe aq të lira.

“Në këtë kohë krize, kredia është shtrenjtë”, thekson Hashani.

Por, investimet e parapara publike, thotë se është e pamundur të përballohen me buxhetin e tanishëm.

Pasqyra e tanishme ekonomike e sektorit real në Kosovë nuk duket edhe aq e mirë, por zyrtarët e BQK-së janë optimistë se kjo do të ndryshojë në vitin 2010.

Valentin Toçi, kryeekonomist në BQK, tha se Kosova gjatë vitit 2009 ka pasur një rritje ekonomike prej 4 për qind dhe ngjashëm pritet të jetë edhe sivjet.

Sipas të dhënave të BQK-së, vjet sektori privat ka pasur një kontribut të limituar në rritje dhe se kësaj rritjeje i ka kontribuar sektori publik. Ekonominë e vendit gjatë këtij viti, sipas Toçit, e ka përcjellë rënia e eksporteve, rënia e investimeve të huaja direkte, rënie e dërgesave të emigrantëve dhe ngadalësimi i rritjes së kredidhënies.

Po ashtu, sipas tij, ka pasur jostabilitet në çmime dhe deflacion si rezultat i çmimeve të importit dhe rënies së kërkesës së brendshme dhe të jashtme. Gjatë këtij viti ka pasur edhe zvogëlim të deficitit në llogarinë rrjedhëse, ku deri në nëntor të vitit 2009, ka pasur një rënie të importeve prej 1.5 për qind, rënie të eksporteve prej 18 për qind dhe rënie të remitancave prej 8 për qind.

“Kriza ekonomike ka ndikuar në rënien e fitimit të bankave dhe se kreditë tregtare kanë pasur një rritje prej 40 për qind. Rritja e të hyrave gjatë vitit 2009 ka qenë 26 për qind, ndërsa shpenzimet janë rritur për 31 për qind”, ka pohuar Toçi.

Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë vitit 2009, ka pasur rënie të kredidhënies te bankat komerciale për 9 për qind dhe rritje të kredive joperformuese nga 3.1 në 4.1 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›