Ndërroi jetë Fadil Ferati

Pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, sot, në orët e hershme të mëngjesit, në një spital në Gjermani, në moshën 50-vjeçare, ndërroi jetë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i rizgjedhur i komunës së Istogut në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit,
Fadil Ferati.
Me këtë rast, kryesia e LDK-së i ka shprehur ngushëllime familjes Ferati, qytetarëve të Istogut dhe gjithë Kosovës për ndarjen nga jeta të Feratit.
Të gjitha detajet rreth organizimit të ceremonisë së varrimit të nënkryetarit të LDK-së, Fadil Ferati, do të bëhen publike shumë shpejt, thuhet në një njoftim të Zyrës së informacionit të LDK-së.
Sejdiu: Virtytet e Feratit do të kujtohen përherë
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Ferati, e cila humbi më të dashurin e saj, Fadil Ferati, kryetar i Komunës së Burimit dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Fadil Ferati ka dhënë kontribut të veçantë për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai ka qenë kryetar i Komunës së Istogut në mandatin e kaluar. Qytetarët e kësaj komune, në zgjedhjet e fundit të nivelit lokal, të parat pas pavarësisë së vendit tonë, me votën e lirë i dhanë sërish Fadilit besimin që t’iu prijë edhe në katër vjetët e ardhshme. Fitorja e tij në këto zgjedhje ridëshmoi se ai kishte arritur paktin e mirëbesimit me qytetarët e kësaj komune”, thuhet në telegram.
Duke shprehur bindjen se virtytet e tij do të kujtohen përherë nga qytetarët e Kosovës, presidenti Sejdiu ka thënë se Fadil Ferati ka qenë një njeri i dashur për të gjithë dhe e ka pasur vite me radhë përkrah në punë, ndaj lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e përjeton me pikëllim të thellë.
Ferati ka vdekur sot në moshën 50-vjeçare pas një sëmundje të rëndë. (Kosovapress)