E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia e Veriut: Gafë diplomatike apo shkarje?

Në qarqet politike dhe opinionin publik të Maqedonisë ende mbizotërojnë habia dhe dilema nëse zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Zhak Barro, kur iu referua vendit jo me emrin kushtetues (Republika e Maqedonisë) dhe as thjesht si Maqedonia, por si Maqedonia e Veriut, i kishte shkarë goja lapsus apo kishte bërë ndonjë gafë diplomatike të qëllimshme. Në një deklaratë që bëri ditët e fundit në agjencinë sllovene të lajmeve, STA, z. Barro, mbas një mbledhjeje të ministrave të Brendshëm të BE-së në Ljubljanë, kushtuar çështjeve të liberalizimit të vizave, paralajmëroi "liberalizimin e vizave në Serbi, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut". Sidoqoftë, nga kabineti i z.Barro nxituan të deklaronin fare shkurt se ishte fjala për një gabim dhe se për BE-në vendi vazhdon të quhet FYROM (Former Yougoslav Republic Of Macedonia). Disa diplomatë perëndimorë në Bruksel u përpoqën ta justifikonin zv/presidentin e KE-së, duke deklaruar se Barro ia lejoi vetes një liri të tillë shprehjeje, pasi deklaratën po ia jepte një mediumi të një vendi anëtar të BE-së dhe se kjo nuk do të ndodhte në rast se deklarata do të ishte e destinuar për ndonjë medium maqedonas. Por, vështirë se justifikime të tilla mund të bindin ndokënd në Maqedoni, ku "shpirtrat" nacionalistë u trazuan edhe një herë tjetër.

Qeveria maqedonase, të paktën publikisht, nuk ka shprehur ndonjë shqetësim të dukshëm, por, sipas disa burimeve të paspecifikuara në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë, kjo e fundit po konsideron nëse do t‘i paraqesë ose jo protestë zyrtare Brukselit lidhur me deklaratën e lartpërmendur të funksionarit të lartë të KE-së. Deri tani qëndrimi publik i MPJ-së maqedonase lidhur me këtë çështje, edhe ky përmes disa funksionarëve të paemërtuar të saj, të cilëve u referohet sot (dje) media maqedonase, është se kemi të bëjmë me ndonjë gafë ose lapsus kontradiktor. Kurse në qeverinë e Maqedonisë, me këtë rast, sipas medias maqedonase, u theksua edhe një herë tjetër se emri i Republikës së Maqedonisë është përcaktuar me Kushtetutë dhe se ai nuk varet aspak nga ndonjë lapsus apo gafë e ndonjë individi, por rrjedh nga e drejta sovrane ndërkombëtare e qytetarëve maqedonas për të pasur emrin e vet kombëtar dhe shtetëror. Por, ndryshe nga politika zyrtare, ministri i parë i Jashtëm i Maqedonisë, Denko Malevski, konsideron se "deklarata e Zhak Barros nuk është aspak aksidentale dhe është naive të mendohet se figura nr.2 në Komisionin Europian mund të bëjë një deklaratë të tillë të papjekur për një çështje kaq serioze". Sipas tij, kjo deklaratë përbën një mesazh që politikanët maqedonas të mendojnë seriozisht për problemin e emrit, që të mos ndodhë që ky vend (Maqedonia) të vihet në një situatë që dikush nga jashtë saj "ta pagëzojë" atë.

Sidoqoftë, burime diplomatike të paspecifikuara në Bruksel, të cilave u referohet këto ditë media e shkruar dhe elektronike e Maqedonisë, nuk e konsiderojnë si lapsus ose si gafë diplomatike deklaratën e mësipërme të Barros, por si një konsensus të heshtur të BE-së për të ushtruar presion mbi Maqedoninë që ajo të bëjë lëshime dhe të pranojë ndryshimin e emrit të saj, në prag të rifillimit të bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë nën kujdestarinë e përfaqësuesit special të OKB-së, Metju Nimic. Në fakt, nocioni Maqedonia e Veriut ka qenë një nga opsionet më shpesh të përmendura kohët e fundit nga bashkësia ndërkombëtare si një zgjidhje kompromisi për mosmarrëveshjen greko-maqedonase gati 15-vjeçare për emrin, por edhe këtë emër që Shkupi zyrtar duket se e pranon nën zë, e kundërshton Greqia, e cila nuk do në asnjë mënyrë, të paktën deri tani, që nocioni Maqedoni të përmendet në emërtimin e ardhshëm të përbërë të fqinjit të saj verior. Shenjat e para të presionit mbi Maqedoninë që ajo t‘i hapë rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Greqinë tashmë janë dhënë, madje edhe hapur, dhe këtë e dëshmon edhe rekomandimi pa mëdyshje që dha Parisi zyrtar, mbas takimit të fundit në kryeqytetin francez mes Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, dhe Kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, se emri Republika e Maqedonisë nuk është opsion për emrin e vendit. Në qarqet politike të Maqedonisë presin që presionet mbi vendin për çështjen e emrit, në një të ardhme të afërt, të rriten edhe më, sidomos mbas mesazhit të hapur të Francës.

Analistë dhe politologë maqedonas, në numrin më të madh të tyre, konsiderojnë, ashtu sikurse edhe ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Malevski, se deklarata e Zhak Barros nuk ishte e rastësishme, se ajo ishte një balonë prove për të tatuar pulsin e Shkupit zyrtar, për më tepër që ai (Barroja) është politikani i dytë i lartë europian që, brenda një jave, e quan vendin Maqedonia e Veriut. Para tij, këtë e bëri deputeti spanjoll Agramunt, sipas të cilit emri Maqedonia e Veriut është opsioni më realist dhe se Maqedonia duhet të mbajë ndaj këtij propozimi një qëndrim më pozitiv dhe më objektiv.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›