E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon moratoriumi skafeve, pronarët kërkojnë liri

26/05/2009  U miratua në 2006-n, do minimizonte trafiqet e paligjshme

Asnjë përgjigje nga drejtoria e kufirit dhe migracionit

DURRES- Dje ka skaduar afati i përcaktuar me dekret të Presidentit të Republikës së Shqipërisë i bllokimit të detyruar të mjeteve lundruese për qëllime turistike. Kuvendi i Shqipërisë është shprehur për bllokimin e mjeteve të tilla lundruese në luftë kundër trafikut klandestin të qenieve njerëzore dhe të çdo lloj trafiku tjetër të jashtëligjshëm me datë 3.4.2006. fill pasi Moratoriumi mori besimin e Parlamentit, më datë 25 maj 2006 është dekretuar. Nisur edhe nga konsulenca me organizmat ndërkombëtar që monitoronin hapat konkret të qeverisë, Parlamentit dhe Gjyqësorit në luftë kundër trafiqeve të paligjshme, është caktuar se ligji në fjalë do të shtrinte efektet për një periudhë 3-vjeçare. Në bazë të ligjit të miratuar me shumicë votash në Kuvend, për zbatimin e Memorandumit u ngarkuan organe të tilla të kualifikuara si policia e shtetit, kapitaneritë e porteve, roja bregdetare shqiptare dhe struktura të tjera. Nga ana tjetër vija bregdetare shqiptare dhe ujërat neutrale ndërkombëtare patrulloheshin edhe nga motovedeta, skafë e motoskafë të forcave të Guardia di Finanza-s në bordin e të cilave kishte efektiva shqiptare e italiane. Të vetmet mjete lundruese që u lejuan në lundrim ishin mjetet e transportit të institucioneve shtetërore, ato të autoritetit portual, anijet e peshkimit të licencuar, anijet e transportit detar të mallrave. Nga ana tjetër më shumë se 40 skafe dhe mjete të tjera lundruese me fuqi motorike u bllokuan, ndërkohë që dhjetëra pronarë të tyre u përballën me gjoba. Në bazë të ligjit gjoba varionte nga 800 mijë deri në 1 milion lekë, ndërkohë që mjeti lundrues bllokohej dhe me vendim të posaçëm edhe konfiskohej. Kjo ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në bllokimin e trafiqeve të paligjshme e ndëshkimin e shumë personave që synuan të thyejnë “embargon”. Tani që kanë kaluar plot tre vjet pronarët e skafeve kërkojnë të lirohen nga efektet e ligjit të mësipërm. Disa pronarë kanë tentuar të marrin një përgjigje në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, por as aty dhe as në policinë e shtetit ata nuk kanë mundur të marrin miratimin për të nxjerrë nga garazhet skafet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›