I nxehti afrikan “pushton” vendin në 2 muajt e ardhshëm
TIRANË – Shqipëria do të pushtohet nga vala e të nxehtit për dy muajt e ardhshëm. Temperaturat priten të kalojnë mbi 42 gradë celcius. Parashikimet e meterologëve flasin për një verë tepër të nxehtë. Sipas tyre, vendi ynë pritet të goditet në dy muajt e ardhshëm, nga i nxehti afrikan, duke bërë që temperatura maksimale të kalojë mbi 42 gradë celcius.
Ndërkaq temperaturat e larta për këtë stinë pranvere në Shqipëri nuk janë konsideruar normale. Në fillim të kësaj jave do të ketë ulje të temperaturave, por që nuk do të zgjasë shumë.
Kështu në Tiranë, temperaturat e larta pritet të ulen nga rreth 30-32 gradë në fillim të javës në rreth 23-25 gradë, ndërsa ato të ulëta do të kenë pak ndryshim nga 16 gradë në 15 gradë celcius.
Rritja e temperaturave dhe "çrregullimi i stinëve" është një nga ndikimet e ndryshimeve klimatike në vendin tonë, sipas specialistëve të mjedisit. Nën këtë ndikim, duket se Shqipëria pavarësisht se ka një klimë mesdhetare, në ditë të veçanta është prekur nga fenomene të klimës kontinentale.
Ndërkohë, rritja e temperaturave ka vënë në gatishmëri strukturat shëndetësore në vend, por dhe urgjencat e kryeqytetit, veçanërisht atë të pediatrisë. Gjatë fundjavës, u shënua një numër i lartë i pacientëve të paraqitur në urgjenca, për shkak të temperaturave të larta. Moshat më të prekura kanë qenë fëmijët dhe të moshuarit.
Sipas mjekëve, nënat duhet të kujdesen të mos i ekspozojnë në temperatura të larta fëmijët, t’u japin sa më shumë lëngje dhe ushqim të kontrolluar brenda kushteve higjieno-sanitare.
Mjekët këshillojnë që nënat të kujdesen të mos i ekspozojnë në temperatura të larta fëmijët, t’u japin sa më shumë lëngje dhe ushqim të kontrolluar brenda kushteve higjieno-sanitare.
(d.b/BalkanWeb)