E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtimi i padrejtë i “Univers PG” nga gara për operatorin e katërt celular

Nga Tema

Kompania “Univers PG”, e cila është skualifikuar nga gara për marrjen e licencës së operatorit të katërt celular në vend, pretendon se veprimet ndaj saj janë të padrejta.

Në letrën që i është dërguar kësaj kompanie, një nga arsyet kryesore për përjashtimin e saj është se ajo nuk përmbush kushtet teknike për të marrë përsipër licencën e operatorit të katërt celular në vend. Sipas pretendimeve të palës qeveritare, “Univers PG” nuk ka partnerët që mund të bëjnë të mundur këtë sipërmarrje.

Në dokumentet që po boton sot gazeta “TemA” tregohet se partnerët e “Univers PG” janë dy emra të rëndësishëm ndërkombëtarë në këtë fushë. Të dyja këto kompani i janë drejtuar personalisht edhe kryeministrit shqiptar për t’i treguar se janë në partneritet me kompaninë shqiptare për marrjen e licencës së operatorit të katërt celular.

Bëhet fjalë për kompaninë GSM Systems, e njohur për bashkëpunimet e saj me emra të njohur në fushën e telefonisë së lëvizshme si Vodafone, Orange apo MTN.

Një tjetër emër i rëndësishëm që ka punuar me “Univers PG” për të marrë licencën e operatorit të katërt është Telecom International & Space Consultancy me qendër në Holandë, e cila i është drejtuar gjithashtu kryeministrit, Sali Berisha, për këtë çështje.

Por, siç tashmë dihet, “Univers PG” u përjashtua nga gara. Në Kuvend ka mbërritur projektligji i qeverisë për t’i dhënë pa garë licencën një konsorciumi kompanish shqiptare, që kryesohet nga Postë- Telekomi i Kosovës.

Në arsyetimet e qeverisë se pse po i jepet kjo licencë pa garë konsorciumit të drejtuar nga PTK, ishte sepse vendi ka nevojë urgjente për operatorin e katërt, për shkak se çmimet nuk janë ulur, edhe pse në treg ka hyrë një kompani e tretë. Por ajo çka është më skandalozja, është që qeveria deklaron në relacionin mbështetës së kjo licencë po i jepet konsorciumit kosovaro-shqiptar, për shkak se ka ofruar tarifat më të ulëta në treg. Përfaqësuesit e “Univers PG” thonë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi ata kanë kërkuar që një gjë e tillë të bëhet e ditur gjatë garës, por përfaqësuesit e komisionit të tenderit nuk kanë pranuar.

Siç ka ndodhur rëndom në privatizimet e kësaj qeverie, termat kanë ndryshuar, pasi është bërë gara dhe në këtë rast qeveria deklaron se po jep licencën, pse janë ofruar tarifa më të ulëta.

Gazeta “TemA” publikoi dje të dhëna që faktojnë se kompanitë shqiptare po e përdorin emrin e PTK për të marrë licencën, kur në të vërtetë do jenë ata blerësit e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›