Skandal me karburantet, kompania austriake mashtron me ngjyruesin
Tiranë- Koncesioni i shumëpërfolur i ngjyrosjes së karburanteve vishet me të tjera hije dyshimi. Përmes një investigimi, Top Channel ka siguruar një sërë dokumentash doganorë, që faktojnë mospërputhje të mëdha në vlerën financiare të importeve të ngjyruesve nga kompania koncesionare austriake Global Fluids.
Ky dokumenti i datës 27 maj 2013 është fatura e deklaruar nga kompania në doganën shqiptare për importin e saj të parë të materialit ngjyrues. Bëhet fjalë për një ngarkesë të nisur nga Hollanda me rreth 3.465 litra ngjyrues, për të cilën kompania ka deklaruar në doganën shqiptare vlerën 2 milionë e 938 mijë euro. Por për të njëtën ngarkesë, dogana holandeze tregon tjetër shifër. Ndryshimi në vlerë është 157 herë më ulët.
Sipas deklarates së lëshuar nga autoritetet hollandeze vlera e mallit rezulton vetëm 18 mijë e 600 euro. Mospërputhja e madhe në vlerë është konstuar më vonë nga autoritetet e doganës shqiptare. Përballë këtij fakti vetëm tre ditë pas zhdoganimit në datën 11 korrik, kompania e ka rieksportuar sërish ngarkesën për në Hollandë.
Kamioni ka kaluar në doganen e Qafe Thanes, ku eshte kontrolluar, por jo ndaluar nga autoritetet doganore shqiptare. Këtë herë vlera e deklaruar është 24 mijë dollarë. Top Channel bën të ditur se kontaktoi me kompaninë, e cila ka pranuar mospërputhjet, por i ka cilësuar ato si gabim.
Përmes një emaili Global Fluids është përgjigjur se dega e saj në Shqipëri ka deklaruar vlerën reale të mallit, por në dokumentat e eksportit që janë dorëzuar në doganën shqiptare, sipas saj, kompania transportuese ka dorëzuar gabimisht dhe faturën e transportit me vlerë 18.640 euro.
Global Fluids përgjigjet se shumë shpejt ngarkesa do të rikthehet në Shqipëri me dokumentat të reja. Por ky version ngre një tjetër problem. Pas konstatimit të diferencave në vlerë nga autoritetet doganore, ngarkesa ka qenë në procedurë kontrolli. Sipas kodit doganor në raste të tilla mallrat bllokohen dhe nuk mund të kryejnë më asnjë procedurë tjetër derisa të përfundojë hetimi, pra, qe malli te largohet apo te hyje ne treg, ndërkohë që ndodhi krejt e kunderta: Kompania u lejua ti rieskportonte ato.
Nëse autoritetet do të vërtetojnë se kompania ka tentuar të rrisë fiktivisht shpenzimet, për të justifikuar tarifën e lartë që përfiton nga koncesioni dhe për të shmangur taksat, rasti do të përbënte skandalin e radhës në kontratat koncesinare.
Dyshimi për manipulimin e shpenzimeve është një fenomen që haset thuajse të të gjitha koncesionet në shqipëri. Madje në industritë më fitimprurëse si minierat apo dhe nafta, prej 13 vitesh të gjitha kompanitë koncesionare në seri, nuk kanë paguar deri më sot asnjë lekë tatim fitimi në buxhet sepse deklarohen me humbje nga shpenzimet e larta. Për disa ekspertë kontratat koncesionare kanë ndërtuar në shqipëri realitetin e një ekonomie koloniale, ku kompani të huaja që shfrytëzojnë pasuri natyrore dhe të drejta eskluzive të shtetit, marrin fitime kolosale dhe shmangin edhe detyrimet më bazë.
Kompania koncesionare që fitoi monopolin e ngjyrosjes së karburanteve, me një investim total vetëm 4 milionë euro, do të përfitojë, 200 milionë euro të shtirë në një periudhë dhjetë-vjeçare.