E Diel, 1 Nëntor 2026

"Skandal me koston e shërbimeve spitalore"

TIRANE-Përllogaritja e kostove të shërbimeve spitalore nga ana e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, sipas mjekut Aurel Voda është një skandal i vërtetë. Ky konstatim i tij vjen pasi ka parë një prej kartelave që ky institucion e ka përdorur si shembull për të sqaruar se si do bëhet kostifikimi i shërbimeve spitalore. Por që sipas mjekut Voda, kjo metodikë që përdoret nga ISKSH-ja është një vjedhje e hapur. Ndaj, në një fjalor më të kuptueshëm për qytetarët që nuk kanë njohuri në mjekësi, ai sqaron çdo detaj të kësaj kartele të publikuar në faqen zyrtare të ISHKSH-së, duke nxjerrë çdo gabim dhe shkelje që ka në të. Një prej gafave të kësaj kartele është se në 6 ditë mjekim, pacientes i janë dhënë 240 njësi ujë fiziologjik.
Kartela &
Përkthimi
Mjeku Aurel Voda ka bërë 'përkthimin' për njerëzit që nuk kanë njohuri mjekësore e njërës prej kartelave të bëra publike nga ISKSH-ja, kartelë të cilën e ka marrë si shembull për nxjerrjen e kostove. Por sipas tij, kjo është një tallje dhe një dëshmi që ky institucion nuk ka dëshirë për të bërë reformë.

"Në këtë kartelë pacientja është një grua, që është trajtuar për gjashtë ditë në pavijonin e patologjisë me dy diagnoza, bronkopneumoni dhe për sëmundje të enëve limfatike. Diagnoza e dytë është profesionalisht e paspecifikuar, duke bërë që shpenzimet për të të jenë të paqarta. Këtu është përdorur një emër i përgjithshëm, i cili përfshin një sërë diagnozash, për mjekimin e të cilave kostoja është e ndryshme. Për ta bërë më të kuptueshme, ju them se kjo është njëlloj sikur për diagnozën e parë të shkruhej sëmundje e mushkërive në vend të bronkopneumonisë. Më poshtë vazhdohet me një gabim tjetër, ku acidit ascorbic i është thënë acid absorbik, gjë që nuk e gjen askund për arsyen e vetme se nuk ekziston. Mund ta konsideronim edhe lapsus, por fakti që është shkruajtur dy herë njëlloj, na bën të mendojmë se ai që është marrë me këtë "përllogaritje" nuk ka fare të bëjë më mjekësinë. Megjithatë, po ju them se këto të dyja janë "mëkatet" më të vogla të kësaj kartele, pasi më poshtë vjen edhe lebetitja. Për këtë paciente, për gjashtë ditë mjekim, shkruhet se janë përdorur 240 njësi ujë fiziologjik, që do të thotë 120 litra. Të gjithë shqiptarët e dinë se me një sasi të tillë lëngu mund të bësh fare mirë një dush nga koka deri te këmbët. Për gjashtë ditë një njeri nuk mund t'i marrë as nga goja 120 litra ujë dhe jo më intravenoz siç thuhet në këtë kartelë horror. Në kushte normale njeriu ka nevojë për një litër deri maksimumi dy litra në ditë, pra për gjashtë ditë maksimalisht shkon në 12 litra, dhe këto nga goja. Ajo që është e sigurtë, është se kjo paciente nuk e ka marrë realisht këtë sasi, pasi përndryshe ajo nuk do të jetonte më. Problemi qëndron se ku ka shkuar pjesa tjetër me të cilën mund të trajtoheshin mbi 10 pacientë të tjerë? Ky është një gabim apo diçka rutinë, me qëllimin për t'i zhvatur shtetit fonde ose medikamente e materiale mjekësore, për t'i shitur më pas në rrugë private? Ky është objekt i hulumtimeve tona të mëtejshme dhe për këtë i sigurojmë të gjithë qytetarët. Megjithatë, po supozojmë për një çast që çdo gjë është rastësore apo lajthitje naive. Këtu ngrihet pyetja: A duhej kjo kartelë të dilte në faqen zyrtare të ISKSH-së? Nga kjo pra, ne deduktojmë se tek ne jo vetëm që është abuzuar dhe vazhdon të abuzohet (fjalën abuzim e përdor për mirësjellje), por të mësuar me pandëshkueshmërinë, që është institucioni më i konsoliduar në Shqipëri, këta beniaminë të pushtetit nuk kanë as frikë se një ditë do të japin llogari për këtë",- tregon mjeku Voda në lidhje më kartelën e publikuar në faqen e ISKSH-së. Por sipas tij, problemi tjetër madhor gjendet pak më poshtë në këtë kartelë, tek ekzaminimet laboratorike, të cilat jo vetëm që janë të mangëta, por janë përllogaritur edhe me çmimin e tregut. Pra sipas tyre, vlera e një glicemie për shembull është 300 lekë, aq sa kushton te një laborator privat.
"Atëherë nga këtu del se ose privati shet në kosto, gjë që është nonsens, ose kemi të bëjmë me shpërdorim, që në pamje të parë duket i vogël, por ju siguroj që është në shifra marramendëse. Me këtë çmim, analizën e glicemisë mund ta bëjnë pa frikë tre vetë, në kushte spitalore sigurisht. Këtu mund të shtojmë se setit të ekzaminimeve i mungon ai mikrobiologjik, si edhe ekzaminimet imazherike, dhe së fundi, këto analiza të bëra duhet të ishin ribërë në ditën e daljes nga spitali. Kjo nuk është thjesht një kartelë, por një pasqyrë, ku janë projektuar shumica e mëkateve të sistemit tonë shëndetësor. Këtu i gjen të gjitha, që nga mungesa e seriozitetit, mungesa e profesionalizmit, shpërdorimin e pafund kudo e në gjithçka e së fundi mosekzistencën e një plani, a të një reforme. Këtu duket qartë se nuk ka pasur kurrë dëshirë për të bërë reformë", -ka përfunduar mjeku Aurel Voda.

Elvana Hana
Në fund të viti 2011, ISKSH-ja ka bërë publike realizimin e kostove të katër shërbimeve kryesore. Puna për kostifikimin e shërbimeve ka qenë një punë disamujore; gjatë kësaj periudhe është bërë e mundur që të llogariten kostot mesatare për rast, në rang spitali, në shërbimet me shtretër për 4 shërbimet kryesore (Kirurgji, Gjinekologji-Obstetri, Pediatri dhe Pathollogji). Por ajo çfarë vihet re në tërësi, është se ka disnivele të vlerave të kostos nga njëri rreth në tjetrin. "Ndryshimet nga rajoni në rajon kapin shifra të ndryshimit të kostove deri në 3 herë për të njëjtën diagnozë; këto janë analizuar në detaje nga ne dhe natyrisht që do të merren parasysh të gjitha elementet në konceptimin e mëtejshëm të reformës", - ka thënë drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›