E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i peshkut, më fitimprurësi në Elbasan

Rritet numri i bizneseve që merren me rritjen e peshqve nëpër rezervate artificiale

Mungesa e detit apo edhe liqeneve nuk e ka penguar biznesin elbasanas të gjejë mundësi për kultivimin e llojeve të ndryshme peshqish. Në rasate artificiale, me vaska me ujë të rrjedhshëm apo të rezervuar, jo pak fermerë të këtij rrethi, kanë kohë që rrisin e tregtojnë peshq. Sipas specialistëve, biznesi i peshkut po merr zhvillim të shpejtë në Qarkun e Elbasanit, duke u shndërruar në një sektor fitimprurës. Sipas statistikave zyrtare që disponon Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Elbasan, rezulton se janë mbi 50 subjekte private që e ushtrojnë këtë aktivitet.
Ndërkaq konfirmohet se me këtë biznes merren të paktën 240 fermerë të licencuar, të cilët sigurojnë me punë të ligjshme të ardhura të konsiderueshme.
Sipas drejtuesit të këtij institucioni, Shkëlqim Elezi, aktiviteti i rritjes së peshkut është përqendruar kryesisht në zonën e Sulovës me qendër në Komunën e Mollasit, por dhe në zonën e Dumresë, ku nga 45 liqene natyrore që ka kjo zonë shfrytëzohet vetëm 50 për qind e kapacitetit të tyre. Ndërkaq në Komunën e Rrajcës të Librazhdit, shfrytëzohen ujërat e ëmbla të burimit të tunelit të Qafëthanës, që rrjedhin nga liqeni i Ohrit. Në dhjetëra rasate që janë ngritur në Rrajcë kultivohet peshku i llojit koran si në liqenin e Ohrit. Peshku që rritet në rezervatet e ngritura në fshatrat e Qarkut të Elbasanit, edhe pse nuk rritet në det apo liqen, dallohet për cilësinë dhe shijen e tij. Pjesa më e madhe e restoranteve kanë nisur të shërbejnë peshkun e freskët të rezervateve. Kjo ka bërë që subjektet që merren me këtë lloj biznesi të jenë të suksesshëm në veprimtarinë e tyre. “Sekreti” është tek uji i pastër dhe i ftohtë i baseneve të rezervateve ku rritet peshku dhe përvoja që kanë fituar ata që merren më këtë biznes.
Kjo pohohet dhe nga tregtuesit e tij, të cilët shprehen të kënaqur me fitimet që kanë, por kërkojnë që edhe shteti ta mbështesë fuqizimin e këtij biznesi. Vasion Shermadhit, specialist i peshkut pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Elbasan thekson se ky biznes po stimulohet së tepërmi në të gjithë qarkun dhe kjo po ndikon edhe në rritjen e të ardhurave të familjeve që po merren me rritjen dhe tregtimin e peshkut.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›