Maliq, dyfishohet harta e përmbytjeve të tokave bujqësore
Dyfishohen sipërfaqet e përmbytura në fushën e Maliqit. Brenda një jave, harta e tokave bujqësore të mbuluara nga uji është zgjeruar ndjeshëm, duke sjellë dëme të pallogaritshme për bujqësinë në këtë zonë. Shkrirja e dëborës dhe reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit, kanë çuar në avancimin e mëtejshëm të përmbytjeve në toka dhe vetëm në javën e fundit, sipërfaqet nën ujë kanë shkuar në 2300 hektarë. Situata paraqitet alarmante në Komunën e Vreshtasit, ku është edhe shtrirja më e madhe fushore që ka shkaktuar dëme të mëdha për bujqësinë. Vetëm kësaj komune i përkasin 1200 hektarë tokë bujqësore të përmbytur. Fermerët e fshatrave Vreshtas, Nizhavec, Podgorie e Koritë janë më të dëmtuarit, ndërkohë që dëme ka pasur edhe në zonën e Libonikut dhe Sheqerasit. Ata deklarojnë se tokat kanë dalë tërësisht jashtë përdorimit dhe rrezikojnë të mos përdoren as pas kullimit të sipërfaqeve të prekura dhe as në stinën e ngrohtë, për shkak se të ndodhura për një kohë të gjatë nën ujë, kanë humbur çdo funksion. Gruri dhe patatja kanë qenë kulturat më të prekura nga përmbytjet dhe fermerët bëjnë apel për të konsideruar situatën emergjente. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për kullimin e këtyre sipërfaqeve. Edhe kryetarët e komunave kanë drejtuar ankesat pranë bordit të kullimit të qarkut, për marrjen e masave emergjente për situatën e krijuar. Por, deri më tani, vetëm në një argjinaturë është ndërhyrë pas çarjes së saj, ndërsa të gjitha kanalet kulluese rezultojnë të bllokuara, duke mos lejuar kalimin e ujërave dhe kullimin e tokave bujqësore. Janë me mijëra fermerët e prekur nga përmbytjet e tokave bujqësore dhe, sipas tyre, situata është kritike. Sipas fermerëve, tokat në të gjithë fushën e Maliqit janë kthyer në liqen dhe nuk ka asnjë shans për shfrytëzimin e tyre në këtë periudhë.
#