Skandal ne olimpiade perjashtohen tete sportiste

Një skandal i rëndë, ndoshta edhe më i keq sesa dopingu ka goditur Lojërat Olimpike. Tetë sportistë janë përjashtuar nga Olimpiada prej Federatës Ndërkombëtare të Badmingtonit të akuzuar se kanë humbur me dëshirë ndeshjet e zhvilluara në këtë sport.
Ndër të përjashtuarit janë 4 koreanojugorë, dy kinezë dhe dy nga Indonezia. Sipas një hetimi imediat, disa nga lojtarët kanë pranuar se nuk kanë dhënë maksimumin, por vetëm sepse kanë dashur të ruajnë energji për ndeshje të tjera dhe disa të tjerë për short më të lehtë.
Komiteti Olimpik Kinez ka deklaruar se do të hetojë humbjen e skuadrës së badmingtonit të përbërë nga sportistet Ju Jang dhe Uang Ksiaoli. “Ne, si Komitet Olimpik Kinez, jemi kundër çdo gjëje që shkel moralin dhe frymën sportive”.
Shefi i komitetit organizator të Londër 2012, lordi britanik, Sebastian Kou, u shpreh se ky skandal përbën një lajm shumë të keq për Olimpiadën dhe se bëhet fjalë për diçka të papranueshme.
Ndeshja që bëri më shumë përshtypje ishte pikërisht ajo e kinezeve ndaj Koresë së Jugut, ekipe të kualifikuara që më parë për në çerekfinale, madje edhe gjyqtarit Torsten Berg iu desh që të zbriste në fushë për të paralajmëruar lojtaret që të luanin siç duhet.
Sipas agjencisë kineze të lajmeve Ksinhua, humbja e ekipit kinez bëri që ai nuk do të ndeshej me çiftin tjetër të Kinës deri në finale. Sipas agjencisë, lojtaret nuk shkelën asnjë rregull, por veprimi i tyre dëmtoi etikën dhe vlerat sportive.
Veçse, sipas një debati publik onlajn në Kinë, zhvilluar në rrjetin social Ueibo, i barazvlefshëm me Twitter-in perëndimor, plot 70 për qind e komentuesve e mbështetën veprimin e lojtareve të badmingtonit.