Drite-hijet e peshengritjes shqiptare
Kemi ende edhe Endri Karinën, ndonëse nuk kemi varur shumë shpresa për sukses, megjithë respektin për një sportist dhe një shqiptar. Peshëngritja kuqezi thuajse përfundoi misionin në “Londër 2012” duke u përpëlitur mes dëshirës dhe sakrificës së sportistëve për sukses dhe problemeve të saj.
Djegia e Erkand Qerimajt dhe pastaj e Hysen Pulakut, ia ulën jo pak shanset, sidomos për shkak të të parit, ndërsa ata që dolën në pedanë bënë maksimumin.
Nuk pati kulm si vendi i 6-të i Romela Begajt në “Pekin 2008”, ndonëse vetë ajo arriti të njëjtin rezultat 216 kg në dygarësh, ndërsa i dhuroi edhe një herë shikuesve dhe teleshikuesve vertikalen e saj të shkëlqyer si një peshëngritëse me të kaluar cirku.
Vendi i 9-të i Caljes dhe vendi i 11-të i Begajt ishte gjithçka e mirë që mundëm, ndërsa në 2008 ishim pak a shumë po kështu, pasi Romela doli e 6-ta dhe Erkand Qerimaj 20-vjeçar i 13-ti. Ndryshe nga tani, sportistët realizuan shumicën e ngritjeve, 5 nga 6 gjithsej.
Ashtu siç dështoi Godelli këtë herë, po ashtu nuk ia doli Gerti Trasha në vitin 2008 që i humbi të tria provat në stilin e shkëputjes në peshën deri 69 kg, duke u skualifikuar për fare.
Nuk mund të thuhet se nuk jemi në Olimpiadë, nuk mund të themi se kamerat nuk na kapin dhe se rezultatet janë për t’u hedhur poshtë, veçse konkurrenca thuajse nuk ekziston. Shqipëria nuk ka thellësinë e duhur në një sport kaq tradicional dhe ku dikur dilte e treta në Europë në vitin 1990, duke shkuar në një kampionat europian me 11 peshëngritës cilësorë.