E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali Kristal, të mbyllen punishtet e diplomave

Tiranë- Lëvizja Alternativa Civile, përmes një deklarate, reagon ashpër lidhur me skandalin e shitjes së diplomave nga universiteti privat Kristal.

Kjo lëvizje kërkon vënien para përgjegjësisë penale të atyre që fabrikojnë diplomat por edhe të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit që përgjigjen për kontrollin e tyre.

Më poshte po publikojmë deklaratën e Alternativës Civile:

Deklaratë

Të mbyllen punishtet e diplomave të hapura nga Genc Pollo

Të hetohen zyrtarët e lartë të arsimit që kanë lejuar këtë maskaradë

Pas publikimit të skandalit të shitjes së diplomave nga universiteti privat Kristal, Alternativa Civile, kërkon hapjen me urgjencë të një hetimi për të verifikuar të gjithë procedurën e regjistrimit dhe diplomimit të studentëve shqiptarë dhe të huaj nga ky universitet, por edhe universitete e tjera private në vend.

Ne kemi ionformacione shumë të sigurta se pranë këtij universiteti janë pranuar ndër vite studentë duke u regjistruar drejtëpërdrejtë në vitet e dyta dhe të treta, ose duke mos i frekuentuar fare kater vitet e sistemit shkollor, por duke paguar koston e të gjitha viteve njeherësh. Ne kemi informacione për hapjen e një zyre legale nga ky universitet në Itali, ku bëhet rekrutimi i të rinjve italianë, të cilët regjistrohen në mënyrë formale pranë këtij universiteti, duke mos frekuentuar fare mësimin dhe blejnë diplomën. Edhe pse media shqiptare ka denoncuar disa herë këtë maskaradë, u desh që skandali të kalojë kufijnë e vendit për të marrë vëmendjen e duhur publike.

Alternativa Civile kërkon të hetohet praktika e regjistrimit të studentëve në universitetin Kristal dhe të gjitha universitetet e tjera private, pasi sipas informcioneve tona, përkundër procedurës në universitete publike, në ato private studentët regjistrohen në çdo kohë të viti mësimor.

Alternativa Civile kërkon hapjen e një hetimi jo vetëm nga Ministria e Arsimit por edhe organet e hetimit penal. Ne kërkojmë vëninen para përgjegjësisë jo vetëm të matrapazëve të arsimit që e kanë shndërruar sistemin universitar privat në industri diplomash të rreme, por edhe të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, të cilët kanë lejuar në vazhdimësi degradimin e këtij sistemi në një model Sude University.

Alternativa Civile kërkon hapjen e hetimeve për të verifikuar kushtet e licencimit të të gjithë universiteteve private, të cilët lulëzuan në kohën kur këtë dikaster të rëndësishëm e drejtonte ministri aktual i inovacionit, Genc Pollo, i cili ishte dhe një nga frymëzuesit kryesore të epidemisë së universiteteve private pa asnjë kriter.

Qeveria duhet të marrë masa për të bllokuar këtë maskaradë që po shkatërron arsimin dhe po hedh në tregun e punës një armatë të diplomuarish të rremë, të cilët falë konjukturave politike dhe korrupsionit, po mbushin zyrta e shtetit me nëpunës të paaftë. Por, vec kësaj, tashmë ky mekanizëm është duke fabrikuar të diplomuar të rrenmë edhe jashtë kufinjve të vendit, duke u bërë kështu imazhi më i keq dhe një ambasador skandaloz i arsimit shqiptar në Perëndim.

Alternativa Civile, një lëvizje që është përfshirë gjërësisht në minitorimin e legjislacionit për arsimit, mendon se shkatërrimi që i është bërë sistemit arsimor universitar është një dëm që shoqëria dhe vendi do ta paguajnë ndër breza, ndaj ne këkon me forcë mbylljen këtyre universiteteve dhe vënien para përgjegjësisë penale të mashtruesve që kanë shndërruar arsimin e lartë në punishte të ndyra diplomash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›