E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeset e bukës, Tirana nuk bindet, gjoba për furrat abuzive

Tiranë- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se po vazhdojnë kontrollet për zëvendësimin e qeseve plastike në furrat e bukës, duke etiketuar si zonën më problematike Tiranën.

Përmes një njoftimi për shtyp AKU ka bërë me dije se gjatë këtyre inspektimet kanë vijuar në të gjithë vendin dhe ka rezultuar se në pothuajsë në të gjitha zonat ambalazhi plastik është zëvëndësuar me atë prej letre.

Drejtoria e përgjithshme  e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ato drejtoritë rajonale po vazhdojnë inspektimet për kushtet e tregtimin e bukës dhe nënprodukteve. Po kontrollohet higjiena dhe kryesisht ambalazhimi i këtyre prodhimeve. Kemi vendosur penalizime dhe mbyllje të aktivitetit në rastet kur ka qenë e nevojshme. Veç punës tonë, i bëjmë thirrje dhe konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm dhe të kërkojnë nga bizneset kushte të përshtatshme tregtimi. Inspektimet e AKU do të vazhdojnë derisa të kemi situatë të pranueshme tregtimi dhe ambalazhimi në të gjithë vendin- tha Manjola Vraja, inspektore pranë AKU.

Po sipas inspektimit të AKU mësohet se ndër qarqet të cilat kanë bërë zëvëndësimin në masën 100% të qeseve është ai i Durrësit, Gjirokastrës, Elbasanit, Kukësit dhe Beratit. Sipas AKU ‘problematika kryesore vazhdon të jetë në rrethin e Tiranës ku edhe përqëndrimi i furrave të bukës është më i lartë. Si rrjedhojë ndaj 10 operatorëve të biznesit, në këtë qark, të cilët nuk kanë zbatuar detyrat e lëna për zbatim janë marrë masa administrative me gjobë si dhe ka pasur raste ku është pezulluar aktiviteti i tyre’. AKU ka bërë më dije se do të vazhdojë  kontrollet edhe në ditët në vazhdim.

D.Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›