E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia sekrete: Mlladiç fshihet në Beograd



Burime pranë policisë sekrete serbe kanë bërë të ditur për gazetën “Press” se i akuzuari për krime lufte, Ratko Mlladiç, jeton prej disa vitesh në Beograd dhe për t’i shërbyer është ngarkuar një person i vetëm. Sipas kësaj gazete, Mlladiç prej pesë vjetësh nuk ka dalë nga vendi ku fshihet dhe ka ndërprerë të gjitha kontaktet me botën e jashtme. Ai nuk komunikon me asnjë nga pjesëtarët e familjes apo miqtë e tij. “Ai në tërësi ka ndërprerë komunikimin me botën e jashtme. Nuk ka asnjë lloj komunikimi me familjen dhe as me miqtë. Ekziston vetëm një person që e di se ku ndodhet Mlladiç dhe çdo 7 deri në 10 ditë e furnizon atë me ushqime dhe barna të nevojshme”, - ka thënë ky burim i gazetës “Press”, i afërt me policinë sekrete të Serbisë.
I pyetur pse nuk arrestohet Mlladiç duke qenë se dihet vendndodhja e tij, burimi ka thënë se një veprim i tillë nuk është aspak i lehtë, sepse bëhet fjalë për një kompleks të ri banesash dhe është e pamundur të kontrollohen të gjitha. Megjithatë, sipas burimit Mlladiç po kërkohet intensivisht në të gjitha zonat e dyshimta.

Solana: “Ballkani, drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”

I gjithë Ballkani është në rrugë të mbarë për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Kështu është shprehur përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana. Sipas tij, pas dhjetë vjetësh nga koha e bombardimit të Serbisë për shkak të Kosovës, është bërë shumë për stabilitetin në Ballkan. “Disa vende të Ballkanit tashmë janë anëtare të BE-së, disa të tjera janë kandidate për anëtarësim. Shumica e vendeve të Ballkanit janë të lidhura në mënyrë institucionale me Bashkimin Europian dhe NATO-n”, - është shprehur Solana në një intervistë për televizionin kombëtar çek. Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesi i BE-së vizitoi Pragën dhe u takua me shefin e diplomacisë, Karel Shvarcenberg, ku biseduan për përgatitjet e samitit të ministrave të Jashtëm që do të mbahet në Çeki më 27 dhe 28 të këtij muaji, samit që do t’i kushtohet në tërësi Ballkanit Perëndimor.

Republika e Palaut njohu Kosovën e pavarur

Shteti i 56-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës është Republika e Palaut. Lajmi u bë i ditur nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, i cili tha se kishte marrë një letër nga Presidenti i shtetit të Palaut, Johanson Toribiong, drejtuar Presidentit Fatmir Sejdiu. Në këtë letër konfimohej vendimi për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Presidenti Toribiong, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës zyrtare të Presidentit Sejdiu për njohjen e Kosovës. Republika e Palaut është vendi i 56-të që njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Disa ditë më parë, publicisti Veton Surroi akuzoi Ministrinë e Jashtme dhe qeverinë kosovare se kishin bërë një punë jo të kënaqshme për njohjen e pavarësisë nga shtetet e ndryshme.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›