Skandali i armëve, Ministria e Mbrojtjes kalon në filtër auditin e saj
Habjon Hasani
Ditë të vështira për ekipin auditues të Ministrisë së Mbrojtjes. Pas shpërthimit që tronditi Shqipërinë në Gërdec, fajtorët nuk do të gjenden vetëm në rradhët e shërbimeve inteligjente por edhe brenda autoriteteve të kontrollit financiar të Ministrisë së Mbrojtjes. ”Albania” ka mësuar se në kuadër të hetimve të brendshme të kësaj ministrie jan vërejtur ndër të tjera mangësi serioze dhe në puën e auditit të brendshëm të saj. ”Ka një problem serioz lidhur me auditin pasi shumë nga aktivitetet e transportit apo inventarizimit të municioneve dhe mjeteve të transportit që e lidhnin ministrinë me fabrikën e Gërdecit, klasifikoheshin si aktivitete që duhet të monitoroheshin nga auditi. Madje ka shumë urdhëra dhe udhëzime që janë flagrantë dhe për të cilët auditi nuk ka kryer ndonjë shënim apo raportim ë veçantë”, - i tha dje ”Albania”-s një zyrtar i ministrisë. Megjithatë duket se ”auditimi” i auditit do të kryhet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave pasi është kjo e fundit e cila ka tagrin për të vlerësuar punën e audituesve. Një fakt tjetër i rëndësishëm lidhet edhe me mangësitë e tjera që u konstatuan në auditin e kësaj ministrie pas ngjarjes së Gërdecit.
Mangësitë
Përveç problemit me municionet dhe abuzimeve që rezultuan vdekjeprurëse, uket se Ministria e Mbrojtjes është ”zhytur” edhe në linja të tjera ndoshta po kaq fitimprurëse, siç janë licensat për importin dhe përpunimin e fishekzjarreve apo dhe dhënia me qera e objekteve në pronësi të saj. Në këto dy fusha veprimi duket se listën më të gjatë e zënë prokurimet shumë problematike, të cilat janë vlerësuar si të tilla vetëm javët e fundit nga juristët e institucionit. Ndërrimi i ministrit duket se ka vënë në lëvizje zyrën juridike të institucionit për të ”rifreskuar memorien” e dy viteve të kaluara dhe për të ripaë aktivitetin financiar dhe ligjor të kësaj ministrie. Por duket se shkeljet mbizotërojnë nga të katërta anët, por ekspertët kontrollorë të ministrisë kanë bërë gjithnjë pyetjen gjatë shqyrtimit të materialeve se ”si është e mundur që auditit t’i kenë shpëtuar detaje kaq të rëndësishme”. Megjithatë duket se një rol të rëndësishëm do të luajë dhe rezultati që do të nxjerrë Kontrolli i Lartë i Shtetit, lidhur me aktivitetin ligjor dhe financiar të kësaj ministrie. KLSH-ja
Oketa
Pak ditë më parë Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa deklaroi në konferencën e ambasadorëve për donacionet e demontimit të municioneve, se Ministria e Mbrojtjes do të përgjigjej rigorozisht për marrjen e të gjitha masave administrative lidhur me ”Gërdecin”, ndërsa shtoi se përgjegjësitë penale ngelen një terren i organit të akuzës. Oketa paralajmëroi se prej disa javësh të gjitha procedurat dhe manovrimet e bëra në ministri lidhur me municionet po rishikohen dhe po vlerësohen për të parë shkeljet dhe përgjegjësit që duhet t’i parandalonin ato. Gjithsesi është i sigurtë fakti se në këtë konferencë ministri Oketa mori një ”dush të ftohtë” kur disa mbasadorë i deklaruan atij se nuk do të kishte logjikë lëvrimi i fondeve pa u zbardhur Gërdeci. Ambasadorët e huaj kushtëzuan financimet për planin kombëtar të demontimit me zbardhjen e plotë të tragjedisë së Gërdecit. Gjatë konferencës së organizuar, ambasadori danez dhe më pas ai holandez kanë kushtëzuar përpara ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ndihmën e vendeve të tyre me rezultatet e hetimit, qëndrim që duket është ndarë edhe nga diplomatët e tjerë. Ndërkohë, edhe vetë ministri i Mbrojtjes, u shpreh se Shqipëria nuk mundet ta kryejë procesin e demontimit e vetme duke deklaruar se nevojiten 4 miliardë lekë për të demontuar mbi 98 mijë tonë municione.
Gërdeci, u penalizuan vetëm Shtabin dhe njësitë e inteligjencës
Pak ditë pas ngjarjes tragjike në Gërdec Presidentit Topi mbajti një fjalim lidhur me përgjegjësitë e institucioneve. Në të njëjtën gjatësi vale është shprehur dhe Berisha nga ana e tij, duke bërë përpjekje për të dhënë përshtypjen e paralizimit të administratës shtetërore. "Si shpjegohet që askush nuk na kishte vënë në dijeni për këtë gjendje në terren? E kam fjalën për SHIU-n, SHISH-in, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, shërbimet e autoritetit fiskal, ato të punës dhe te autoriteteve monitoruese të shëndetit paraprak, prej të cilave nuk ka patur as edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec. Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostrades kryesore të vendit", - është shprehur Presidenti. Por Presidenti duket se "ka harruar" të thotë se zoti Delijorgji ka marrë një licensë në Ministrinë e Financave e për më tepër ka patur një kontratë demolimi me një kompani amerikane. Në këtë moment, përgjegjësia është direkte e Ministrisë së Mbrojtjes. Por kjo e fundit nuk kishte dërguar sikur një ekspert të vetëm aty. Për më tepër, përveç armëve të lehta kishte depozituar edhe një "mal" me municione të rënda, me të cilat "luanin" gra dhe femijë.
Hetimi, Ministria e Mbrojtjes në shënjestër për trafik municionesh
Në sajë të informacionit të sekuestruar është vërtetuar se nga firma “MEICO” ka pasur tratativa dhe kontrata të konkluduara me disa “pika kontakti” ndërkombëtare, që nuk kanë operuar në rrugë zyrtare dhe që rezultojnë si subjekte private anonime. Por përveç këtij fakti në dokumente vërtetohet se ka pasur dhe disa dërgesa të mëdha me kontenierë të mbushur me municione, të cilat nuk figurojnë në regjistrat zyrtarë të kompanisë. Deri tani mësohet se janë evidentuar edhe disa pika kontakti me të cilat ka pasur marrëdhënie intensive të kontrabandimit të armëve në tre vitet e fundit. Greqia, Bosnja, Austria dhe Zvicra janë evidentuar deri tani si pika kontakti për porositjen e ngarkesave, ndërsa disa dokumente kanë dhënë informacion edhe në lidhje me vendin e të këtyre ngarkesave. Zbardhja e këtij informacioni që lidhet me kontrabandimin e armatimit të vendit tonë ka hedhur dritë edhe në lidhje me funksionet e vërteta të së ashtuquajturës “bazë të demontimit në Gërdec”. Kjo ndodh pasi nga krahasimi i të dhënave prokurorët kanë bindjen se në të vërtetë Gërdeci ka qenë më së shumti një pikë transiti dhe parapërgatitjeje për municionet që “i hipnin” avionëve në Rinas.
22 Korrik 2008