MEICO jashtë çdo lloj kontrolli nga auditi
Kompania shtetërore e import-eksportit të armëve duket se është dhe ”thembra e akilit” që fakton inekzistencën e auditit të brendshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo kompani ka ushtruar një sërë aktivitetesh totalisht antiligjore ndërsa nuk kanë munguar dhe raste flagrante si ato të bashkëpunimit me firma fantazëm që menaxhohen nga trafikantë të njohur armësh. Tre ditë më parë ”Albania” iu referua një artikulli të revistës boshnjake ”DANI” në të cilën faktohej se njeriu që korrespondon me të dhënat zyrtare (email, numër telefoni) të firmës ”Evdin Ltd” quhet Adnan Sarajliç dhe është ”dora e fortë” në Ballkan e trafikantit ndërkombëtar Henri Tomei. Revista boshnjake ”DANI” ka mundur të zbulojë detaje me vlerë lidhu me njeriun që menaxhonte firmën fantazëm që e ktheu Shqipërinë në epiqendrën e skandalit ndërkombëtar të armëve. Adnan Sarajliç duket se përfaqëson një pikë të fortë referimi për trafikun e armëve nga ballkani. Në bazë të artikullit të revistës “DANI” ai është skeduar prej disa vitesh si trafikant ndërkombëtar armësh. Mendohet se Sarajliç ka marrëdhënie të ngushta me “lordët e trafikut” që lindën në Bosnjen e pasluftës dhe që kontrollonin eksportin e armëve nëpërmjet Bosnjes, duke shfrytëzuar linjat e vjetra të trafikut të cilat i kishin krijuar përgjatë konfliktit të armatosur në Bosnje. Deri më sot organizata më e fuqishme në trafikun e armëve në Bosnje njihet ajo e cila drejtohej nga Hasan Çengiç(ish ministër i mbrojejtes në Bosnje, me lidhje të ngushta me botën islamike), e mbiquajtur si “Qarku Boshnjak. Megjithatë, nuk ka ndonjë të dhënë faktike se Adnan Sarajliç menaxher i firmës “Evdin ltd” ka qenë anëtar i kësaj linje. Por lidhjet e Sarajliçit duhet të jenë vërtet të forta nëse i referohesh artikullit të “DANI” i cili e paraqet Sarajliçin si “çelësin magjik në Ballkan” të trafikantit ndërkombëtar Tomei. Madje dy ditë pas publikimit të rolit prej sekseri që kishte firma fantazëm “Evdin ltd” në Shqipëri, mësohet se në Bosnje autoritetet amerikane dhe ato boshnjake kryen pesë arrestime për trafik armësh dhe terrorizëm. Por deri më sot nuk është bërë publike ndonjë lidhje shkakësore mes këtyre ngjarjeve
22 Korrik 2008