E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i dopingut te Lance Armstrong

Federata ndërkombëtare e çiklizmit, ka shpërbërë Komisionin e Pavarur që hetonte rreth përfshirjes së zyrtarëve të këtij institucioni në skandalin e dopingut nga Lance Armstrong.
Vendimi është marrë për të realizuar një proces të “së vërtetës dhe të pajtimit”.
Zyrtarët e UCI-t bën të ditur se shpërbërja e komisionit erdhi pas konsultave me John Fahey, presidentin Agjencisë Botërore të Anti-dopingut.

“WADA është e gatshme ta ndihmojë sportin tonë për të kthyer besimin dhe pajtimin. Gjithashtu kjo Agjenci na komunikoi shprehimisht se nuk kishte besim te Komisioni i Pavarur”, theksonte në një deklaratë për shtyp kreu i çiklizmit botëror, Pat McQuaid.

Aty sqarohej se shpërbërja e komisionit aktual cilësohet si mënyra më e mirë për të luftuar plagën e dopingut në botën e çiklizmit dhe për ta pastruar këtë sport.

Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit do të nisë punë gjatë këtij viti dhe do të publikojë një raport rreth çështjes Armstrong, që cilësohet si mashtrimi më i madh në historinë e sportit.

Pasi iu hoqën të gjithë titujt dhe medaljet e fituara, Armstrong pranoi se ka përdorur substanca të ndaluara në shtatë triumfet e regjistruara në “Tour de France”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›