E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i kartave, shkeljet që paracaktuan fituesin

 

Shkualifikimi i konkurrentëve, kriteret për kartat e identitetit u ndryshuan një muaj para tenderit

 

Apelimi në Agjencinë e Prokurime, 2 kriteret skualifikuese të kompanisë SAGEM

Ndryshimi vetëm një muaj para tenderit të kritereve të pasaportës biometrike ka qenë i qëllimshëm, për të shmangur konkurrentët në këtë tender. Apelimi i kompanive për tenderin e shumëpërfolur të kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike, përfshin edhe këtë çështje, duke u vlerësuar si një nga pikat që ka paracaktuar kompanisë fituese paraprakisht. Sipas dhënave të bëra publike nga ana e kompanive që kanë marrë pjesë në këtë garë, deri në fund të janarit 2008 specifikimet e pasaportës së re biometrike ishin me bazë letre, pasi letra sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, ofron siguri më të lartë për këto dokumente. Me letër është e ndërtuar pasaporta amerikane dhe e shumë vendeve të tjera në Perëndim. Por, për habinë e të gjithë kompanive që morën pjesë në këtë tender, më datën 28 janar 2008, Ministria e Brendshme ndërroi specifikimin e pasaportës në polikarbonat, pikërisht atë model që prodhon kompania holandeze SDU dhe iu la 1 muaj kohë firmave që të përgatisnin ofertat. Ndryshimi i kritereve të këtij tenderi një muaj para datës së zhvillimit, erdhi në një kohë që Ministria e Brendshme kishte 2 vjet e gjysmë kohë që merrej me këto specifikime. Në këtë mënyre u nxorën nga loja firmat printuese amerikane dhe pjesa me e madhe e kompanive europiane. Oferta e bërë nga ana e firmës "Oberthur Technologies & AKD" referuar edhe tabelës, është 18, 8 milionë euro më lirë se SAGEM, por kjo firmë është skualifikuar që në raundin e parë dhe shkaku i skualifikimit ka qenë i lidhur me favorizimin e kompanisë fituese. Ndryshimi i kritereve në përputhje me prodhimet që mund të realizonte firma holandeze SDU vetëm një muaj para tenderit, hedh hije dyshimi edhe mbi faktin se këshilltari i huaj pjesëmarrës në këtë tender, Fons Knopjes ka qenë i punësuar në firmën holandeze SDU. Duke përshtatur specimenet e pasaportës biometrike të kërkuar nga ministria me prodhimin e firmës SDU, kompanitë e tjera e kishin të pamundur që të ofronin këtë specimen brenda afatit ligjor duke u përjashtuar në mënyrë të qëllimshme nga tenderi. Nga ana tjetër, firma holandeze SDU, që sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe prodhuesja e kartave dhe pasaportave të reja shqiptare, ka dalë në shitje që prej ditës së djeshme. Një fakt i tillë bën edhe më të pasigurt fatin e pasaportave dhe të kartave të identitetit që do të prodhohen në emër të SAGEM, që në të vërtetë nuk është një prodhues i këtyre produkteve të një rëndësie të veçantë për vendin. Firmat "BundesDruckerei/Motorola", "Oberthur/AKD" dhe "Zetes/Gemalto" të ankuara në Agjencinë e Prokurimeve, e kanë vlerësuar këtë tender me shkelje të rënda. Si pasojë e këtyre shkeljeve, ato kanë vlerësuar që i gjithë procesi është pre e pavlefshmërisë absolute të akteve që dalin si rezultat i tij. Për këto arsye, firmat kërkojnë pavlefshmërinë absolute të aktit përfundimtar të shpalljes së fituesit të tenderit, për shkak të shkeljeve të rënda ligjore.

***

Apelimit e bëra nga ana e firmave që kanë marrë pjesë në këtë tender në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe në Avokatin e Prokurimeve, kanë nxjerrë si kritere kryesore kualifikuese të kompanisë së zgjedhur nga ana e Ministrisë së Brendshme, mungesën e specimeneve në polikarbonat të kartave dhe njëkohësisht mungesën e certifikimit të nevojshëm për këtë tender. SAGEM, sipas apelimit të bërë nga tre firmat, "BundesDruckerei/Motorola", "Oberthur/AKD" dhe "Zetes/Gemalto", nuk ka plotësuar "Kërkesën për Kualifikim", ku nuk ka arritur të paraqesë "Certifikatë Sigurie ISO 27000 për sistemet e menaxhimit të sigurisë së lartë", të kërkuar në kërkesën 23, të pikës 2/3. Certifikata e ISO 27000 e paraqitur i përket një shoqërie tjetër SAGEM-ORGA Gjermani, sipas animimit, me të cilën SAGEM është aksionere, por që ka personalitet juridik më vete, d.m.th., ka të drejta dhe detyrime të ndara nga vetë SAGEM. SAGEM-ORGA Gjermani nuk është pjesëmarrëse në ofertën për koncesion, as drejtpërsëdrejti dhe as si shoqëri e bashkuar pjesëmarrëse në konsorcium. Sipas kompanive që kanë bërë kërkesë në Agjencinë e Prokurimeve për shpalljen të pavlefshëm të këtij tenderi, certifikatat e nënkontraktuesit nuk quhen dhe shkaku pse SAGEM nuk e ka ISO 27000, është i thjeshtë dhe lidhet me aktivitetin e kësaj kompanie. "SAGEM nuk është printuese dhe si rrjedhojë, printimet gjithmonë i nënkontrakton. Gjithashtu një kriter tjetër që e bën këtë tender të pavlefshëm sipas dokumentacionit, lidhet me faktin se SAGEM nuk ka paraqitur 15 kopje specimenesh të personalizuara të pasaportave dhe kartave. Kjo duket shumë qartë në videoregjistrimet dhe në fotot përkatëse që firmat pjesëmarrëse i kanë bashkangjitur apelimeve të tyre dhe që jepen edhe në fotot e paraqitura gjatë zhvillimit të tenderit. Madje në video shihet qartë, që vetë përfaqësuesja e SAGEM e ka pranuar këtë fakt gjatë zhvillimit të tenderit. Kjo duket shumë qartë dhe në mostrat e paraqitura nga SAGEM, ku për mostrën e pasaportës SAGEM ka dorëzuar 15 specimene të pasaportës së prodhuar nga SDU-Holandë në vitin 2004, të cilat janë materiale promocionale (standard samples) dhe nuk janë të personalizuara. Një fakt i tillë, duket edhe në fotot e realizuara gjatë zhvillimit të tenderit, ku në specimenet e treguar duket qartë viti 2004 i prodhimit të tyre. Pra nuk janë prodhuar specifikisht për këtë tender dhe as nuk janë personalizuar. Edhe mostrat e kartave të identitetit janë dorëzuar (15 mostra me polikarbonat) por të bardha, me chip dhe të pa personalizuara. Ndërsa 15 mostrat e dyta janë pa polikarbonat dhe të personalizuara. Kjo është shkelje e kërkesave të tenderit dhe tregon se SAGEM nuk ka mundur aspak që të sigurojë një vend ku të personalizojë plotësisht kartat, siç parashikohet nga kërkesat e tenderit me gdhendjen në laser.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›