E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika e vjetër, kërcënim për jetën e shqiptarëve

 

Kreu i PS-së ka vijuar "Dialogun me Shqipërinë" në rrethin e Elbasanit, ku ka diskutuar për sigurinë e jetës

 

"Ne duhet të shkojmë përtej kufijve të partive, ne duhet të shohim përtej mureve që i kanë ndarë shqiptarët"

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vijuar turin e tij "Dialog me Shqipërinë" në qytetin e Cërrikut dhe komunën Shtërmen në rrethin e Elbasanit, ku dhe ka bashkëbiseduar për çështjen e sigurisë së jetës dhe shanset e barabarta. Gjatë takimeve me banorët e këtyre zonave, kreu socialist ka vënë në dukje paaftësinë e qeverisë për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve. Duke marrë shkas pikërisht nga tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 27 njerëz dhe ku u shkatërrua një zonë e tërë, kreu socialist ka përqendruar bashkëbisedimin e vet, pikërisht tek siguria e jetës dhe mundësitë që krijon shteti për të pasur një punë dhe aktivitet normal. Sipas Ramës, zhvillimet e fundit të pas tragjedisë në fjalë, treguan rrezikun që sjellin për këdo, qoftë edhe për njeriun më indiferent, politikat e pista korruptive. Për këtë, ai ka theksuar nevojën për një angazhim të të gjithë shqiptarëve në mbështetje të ideve dhe politikave që synojnë largimin një herë e përgjithmonë të politikës së vjetër, si mbartëse e fenomeneve negative, siç është dhe korrupsioni. Rama ka shtruar edhe një herë idenë e një bashkimi në aleancë të madhe, përtej bindjeve politike të majta dhe të djathta, si një mundësi e vetme për t'i dhënë fund keqqeverisjes dhe tranzicionit 17 vjeçar. "Ne duhet të shkojmë përtej kufijve të partive, ne duhet të shohim përtej mureve dhe paragjykimeve që e kanë mbajtur Shqipërinë të përçarë në këto 17 vjet, që i kanë ndarë shqiptarët duke i përçarë, që kanë lejuar shumë e shumë dhimbje, shumë e shumë shqetësime, shumë e shumë probleme dhe që i kanë neveritur njerëzit me politikën, që i kanë larguar njerëzit nga politika, që i kanë bërë njerëzit të mendojnë gati se politika është diçka e keqe",- u shpreh kryesocialisti Edi Rama. Ai ka shprehur siguri se, pavarësisht vështirësive, gjendja e sotme mund të ndryshohet dhe kjo vetëm nëse të gjithë shqiptarët solidarizohen me nismën e PS-së për ta shndërruar Shqipërinë në një vend me demokraci të vërtetë, ku politika të punojë për votuesit e vet. "Ajo që është shumë e rëndësishme sot, është se ne të gjithë të kuptojmë se kjo gjendje dramatike nuk mund të ndryshojë tek ne, se kjo politikë e vjetër e së shkuarës nuk mund të hidhet pas krahëve, në rast se ne nuk i japim dorën njëri-tjetrit, në rast se ne nuk shohim tek njëri-tjetri një fuqi më shumë për ndryshimin dhe realizimin e dëshirave dhe ambicieve tona",- tha Rama. Arritjes së këtij qëllimi sipas socialistëve i shërben edhe hartimi i programit të ri elektoral dhe qeverisës, ku çdo problem, përfshi këtu edhe atë të sigurisë së jetës së përditshme, do të gjej zgjidhje dhe kjo gjithmonë nëpërmjet vlerësimeve dhe mendimeve që do të japin qytetarët gjatë "Dialogut me Shqipërinë". "Ne duhet t'i japim fund të gjitha këtyre të këqijave përmes një politike të re, ku ne duhet të bashkohemi si shqiptarë dhe shqiptare, ku ne duhet të bashkohemi si nëna dhe si baballarë, ku ne duhet të bashkohemi si të reja dhe të rinj, duhet të bashkohemi si të moshuar. Për të parë, në radhë të parë jetën tonë, jetën e familjeve tona, jetën e qytetit dhe të fshatit tonë dhe jo flamujt e partive. Për të parë, në radhë të parë, atë çka është më e rëndësishmja, dinjitetin dhe sigurinë e jetës. Dhe në këtë mënyrë ne do të mund ta mbyllim politikën e vjetër, ne do të mund ta mbyllim kapitullin e politikës së vjetër, ne do të mund ta lëmë pas krahëve një politikë e cila shfaqet përpara nesh vetëm për të premtuar, kur janë fushatat elektorale",- tha Rama.

Klosi: Jemi në fushatë elektorale

Megjithëse është ende herët, socialistët kanë nisur prej muajsh përgatitjet e tyre për fushatën elektorale që pritet të mbahet në vitin 2009. Në kuadër të këtij qëllimi, PS është angazhuar në të gjitha nivelet e organizimit të saj, për të realizuar një fazë parapërgatitore në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare t'i gjejë strukturat e saj në parametrat optimalë për të përballuar fushatën elektorale. Për këtë qëllim, selia rozë ka nisur prej disa muajsh zgjedhjet për rifreskimin e të gjitha strukturave të saj që nga organizatat, si struktura më e vogël e organizimit të saj partiak. Duke asistuar nga afër këtë proces, Sekretari socialist i Organizimit, Blendi Klosi ka qenë dje i pranishëm në qytetin e Gramshit në një mbledhje me kryetarët e organizatave, ku dhe ka bërë me dije se këtë javë do të mbyllet procesi i zgjedhjes për gjithë qarkun e Elbasanit. "Është një mbledhje pune me të gjithë kryetarët e njësive socialiste dhe me një grup shumë të madh anëtarësh të asamblesë së PS, duke shpërndarë detyrimet dhe delegimet, si dhe bëmë planin e punës për gjithë javën në vazhdim. Gjatë gjithë kësaj kohe ne do të jemi këtu për të monitoruar mbledhjet e organizatës. PS, tashmë e ka deklaruar që është në fushatë elektorale dhe ne po përgatitemi për fushatën e ardhshme elektorale, për të përgatitur të gjitha strukturat e partisë për të qenë sa më të përgatitur në këto zgjedhje",- tha Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›