E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kopshti i vishnjave”, Çehovi përuron Teatrin e Metropolit

Regjisori Kiço Londo: “Një shfaqje ndryshe, për një teatër ndryshe”

Petrika GROSI
Një shfaqje ndryshe, për një teatër ndryshe. Ky është përkufizimi që ka për zemër ta përdorë Kiço Londo, regjisori dhe drejtori aktual i Teatrit të Metropolit, institucionit më të ri të artit skenik në kryeqytet, i cili do të përurohet me shfaqjen premierë të Çehovit, “Kopshti i vishnjave”, ditët e para të këtij muaji. Në fakt, shfaqja është menduar që të ngjitet në skenë me një përkthim të ri, koncept modern, aktorë gjithashtu të rinj dhe një filozofi që i përshtatet zhvillimeve bashkëkohore të teatrit europian. Njëherësh do të kryhet kësisoj përurimi i sallës me 120 vende të Teatrit të Metropolit, institucion i munguar që themelohet në brendësi të mjediseve të Estradës së Tiranës me mbështetje dhe financim nga Bashkia. Numri i shfaqjeve të kësaj drame parashikohet të jetë rreth 20, kryesisht gjatë fundjavave në mbrëmje (Ora: 21.00) nga data 2 prill deri më 3 maj 2009. Sa i takon premierës “Kopshti i vishnjave”, thelbi i saj është një parabolë sepse sot ne nuk jemi në gjendje t’u japim përgjigje pyetjeve të dikurshme, të cilat, edhe pas kaq vitesh, mbeten sërish aktuale... “Është një dramë, që, e përmbledhur me dy fjalë, mbi të gjitha trajton mungesën e lëvizjes dhe të komunikimit mes njerëzve”, – shprehet Kiço Londo, teksa i kërkojmë një përkufizim të asaj që regjisori po përgatit për ta vënë në skenë. E teksa provat me aktorët e rinj vazhdojnë në skenë, vazhdojmë edhe ne, me atë “paturpësinë” tonë të falshme gazetareske, ta pyesim regjisorin për detaje të tjera. E pra, siç e thamë më parë, ne nuk jemi në gjendje t’u japim përgjigje disa pyetjeve të dikurshme: Si t’i shpëtojmë librat dhe bibliotekat? Çfarë të bëjmë me teatrin dhe sallat? Ka shumë “Kopshte vishnjash” që bëhemi gati t’i presim, çfarë të bëjmë kur “pronarët e rinj” arrijnë? Të tërhiqemi, apo të bëjmë aleancë me ta? T’i luftojmë fitimtarët e shekullit që sapo ka filluar? Sot jemi në një betejë vlerash. Vetëm kryeveprat lejojnë t’u afrohemi problemeve që rikthehen.
Shfaqja në mënyrë simbolike paraqet “kompleksin e kopshtit” që ka të bëjë me gjymtimin psikologjik dhe shpirtëror që i krijohet njeriut kur humb gjënë më të mirë të vetes: një pronë, një pasion, një profesion, një ëndërr... Me humbjen e kopshtit, “pronarët e vjetër” humbin ëndrrën, prejardhjen, identitetitn, që nuk janë çështje materiale, por psikologjike, botëkuptimore. Edhe jeta e njerëzve të artit nuk ka kuptim pa dedikimin ndaj profesioneve tona. A duhet të mësojmë deri në fund mençurinë e të larguarit nga ato, të heqjes dorë, apo, përkundrazi, të vazhdojmë deri në fund? Kur shohim njerëz të artit që kanë hequr dorë nga “iluzionet e kaluara” dhe janë bërë pasanikë duke u marrë me tjetër gjë, këmbëngulja jonë mund të duket e dyshimtë, por kultura nuk është ideologji, së cilës i kalon mosha ose koha, me të cilën merremi vetëm në periudhat e vështira. Njerëzit e teatrit, që besojnë ende në fuqinë e skenës, duken si mbretër të ringjallur që kanë qenë të eliminuar nga “partizanët e së dobishmes”, të cilët u presin kokën pemëve. Megjithatë, ata harrojnë se teatri më tepër se një art është një qëndrim i njeriut përballë jetës dhe ky qëndrim është i shenjtë. Secili është mbret më vete, ndonëse drita sallash fiken përgjithmonë dhe spektatorët janë gjithnjë e më të rrallë. Teatri është një “kopsht vishnjash” i besueshëm, ndërkohë që të sjellësh Çehovin në skenë, sipas Londos, bëhet gjithmonë e më tepër e vështirë pasi ky autor nuk duhet nënvleftësuar dhe as nuk duhet marrë me mendjelehtësi.

PËRKTHIMI

Londo: “Sejfulla Malëshova më takoi me ‘Vishnjat’ para 27 viteve”

Ndërsa kësaj here “Kopshti i vishnjave” do të “flasë” shqip falë punës të përkthyeses së re Besi Londo, regjisori dhe drejtori i Teatrit të Metropolit, Kiço Londo, rrëfen për gazetën “Albania”: “Këtë pjesë të Çehovit e kam lexuar para 27 vitesh të përkthyer nën kornizat e kohës dhe me një folklorizëm në brendinë e vet, nga një intelektual klasi siç ishte Sejfulla Malëshova. Gjej rastin të theksoj se sot kemi një përkthim të ri dhe ndryshe nga ekzistuesi, të realizuar enkas për premierën”.

PËRURIMI

I ftuar special, artisti i famshëm rumun me origjinë korçare, Ion Karamitro

Për të përuruar teatrin e ri të Tiranës mësojmë se mes personaliteteve të ndryshme të artit dhe të kulturës do të jetë edhe një i ftuar special, siç është drejtori i Teatrit Kombëtar të Rumanisë, Ion Karamitro. Ai është një aktor arumun me origjinë nga Korça, vlerësimet për të cilin nuk mungojnë në mbarë teatrin europian. Mjaft të përmendim këtu Titullin e Nderit të akorduar për këtë personalitet nga Britania e Madhe, apo urdhrin e Ministrisë Franceze së Kulturës: “Kalorës i Artit dhe Letrave”. Po kështu, të shumta janë edhe çmimet që kjo figurë ka marrë për shfaqjet skenike. Veç të tjerash, artisti ka vënë në skena të ndryshme të Rumanisë e gjetkë me dhjetëra shfaqje (mbi 60 role: Shekspir, Çehov, Pirandelo etj.) të autorëve të njohur të teatrit botëror. Sikur të mos mjaftonin këto, Ion Karamitro numëron mbi 30 role në kinematografi, mes të cilave edhe atë të Zozimovit në filmin “Mission impossible”, ku protagonist është ylli i Hollivudit, Tom Kruiz, prodhim i vitit 1996. Po kështu, Karamitro ka një karrierë të mirë edhe në politikë duke pasur poste të rëndësishme në administratën rumune (1996-2000 – ministër i Kulturës). Ai hyn dhe te disidentët që dolën kundër regjimit komunist.

PASAPORTA

Titulli: “Kopshti i vishnjave”
Autori: A. P. Çehov
Regjia: Kiço Londo
As/regjisor: Adelina Muça
Përkthimi: Besi Londo
Skenografia: Berinda Kokona
Muzika: Shostakoviç

Personazhet Aktorët

Ljubova Andrejevna Eni Jani
Gajevi Alban Krasniqi
Varja Loredana Gjeçi
Trofimovi Roland Saro
Jasha Bledar Naska
Sharlota Adriana Tolka
Llopahini Devis Muka
Anja Esela Pysqyli
Hepiodovi Genti Deçka
Dunjasha Orjana Cama
Firsi Valon Pallaska
Pishcik Marvin Tafaj
Kalimtari Ledjan Papagjoni

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›