E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i naftës "virgine", ndahet dosja për të pandehurit

TIRANË- Copëtohet" dosja e skan dalit të naftës "virgine". Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e pjesës më të madhe të të pandehurve, për t'u gjykuar me procedurë të përshpejtuar, mes të cilëve ndodhet dhe biznesmeni Ilias Fisheku, administrator i kompanisë "Fisheku" sh.a, apo ish-punonjësi i Antikontrabandës, Arjan Daci.

Biznesmeni Hajri Elezaj, administrator i "Euroil" sh.a, i cili ndodhet në kërkim ndërkombëtar do të gjykohet në një proces të ndarë me të pandehurit Bledar Rama dhe ky në kërkim, si dhe Dashamir Kasaj. Elezaj dhe dy të pandehurit e tjerë nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë, ndaj për pasojë gjykimi tyre do të vazhdojë me procedurë normale.

Ndërkaq, edhe gjyqi ndaj shoqërisë "Euroil" sh.a, do të vijojë me procedurë normale. Seanca e djeshme gjyqësore, pas shqiptimit të vendimit të gjykatës që pranoi kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar, vijoi me leximin e kërkesës për gjykim nga ana e prokurores Daniela Sulaj.

Pritet që përfaqësuesja e organit të akuzës të kërkojë masat e dënimit për 12 të pandehurit në seancën e ardhshme. Biznesmeni Hajri Elezaj dhe të pandehurit e tjerë dyshohen për akuzat e pastrimit të produkteve të veprës penale, apo moskallëzimit të krimit apo mashtrimit. Hetimi për skandalin e naftës nisi pas denoncimit që bëri ish-ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.

Sipas prokurorisë, gjatë hetimeve u vërtetua se nafta bruto deklarohej si e eksportuar jashtë vendit, në një kohë që shitej në tregun vendas, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe në dëm të konsumatorit shqiptar.
(el.me/GazetaShqiptare)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›