E Shtunë, 31 Tetor 2026

15 vjet nga ‘Otranto’, busulla e “Katerit të Radës”, sot në Vlorë

VLORE- Pesëmbëdhjetë vjet pas tragjedisë së Otrantos ku u mbytën në det 81 persona, shumica prej të cilëve gra dhe fëmijë, do të mbërrijnë sot në port dy objekte të anijes relike “Kateri i Radës”. Bëhet fjalë për busullën dhe fenerin e mjetit lundrues. Mësohet se, drejtuesve të Bashkisë së Vlorës dhe Ministrisë së Kulturës do t’u dorëzohet dhe projekti për përkujtimoren që do të ngrihet për nder të viktimave në qytetin bregdetar.

RELIKET E “KATERI I RADES”
Dy artistët shqiptar, të cilët ishin pjesë e projektit të Bashkisë së Otrantos për t’a kthyer anijen “Kateri i Radës” në monument, do të sjellin mëngjesin e sotëm atë çfarë ka ngelur nga anija e tragjedisë. Bëhet fjalë për Arta Ngucajn dhe Arben Beqirajn që jetojnë në Bolzano të Italisë, të cilët së bashku me një grup artistësh nga shtete të ndryshme u thirrën muaj më parë për të qenë pjesë e projektit që kishte në qendër kthimin e anijes “Kateri i Radës” në një monument kulture pranë portit të Otrantos. Ngucaj pohon se, që në momentin që është thirrur së bashku me Beqirajn kanë kërkuar që këtë monument t’a ndërtonin në Vlorë, por kjo gjë nuk u pranua nga pala italiane. Kjo me pretekstin se ose anija do të shkatërrohej, pasi tashmë nuk përbënte më provë, ose do të bëhej monument në Brindisi. Pas vendosmërisë së italianëve për monumentin, çifti i artistëve shqiptar paraqiti një projekt ku të vendosej e gjithë anija në një kupë qelqi, me qëllim që mos të dëmtohej. Por, përgjigja ishte sërish negative pasi projekti do të drejtohej nga artisti grek Costas Varostos. “Kur ne mbërritëm për të qenë pjesë e projektit, anija kishte filluar të pritej. I kërkuam palës italiane që të na japë çfarëdo objekti që kishte mbetur nga anija “Kateri i Radës”, me qëllim që të ndërtohej një instalacion pranë vendit ku u nis anija. Pra në afërsi të zonës së Skelës”, - shprehen artistët, Arta Ngucajn dhe Arben Beqiraj. Kërkesa u pranua dhe disa objekte të anijes, si Busulla dhe Feneri do të sillen në Shqipëri.
PROJEKTI
Dy artistët shqiptarë shprehen se së bashku me objektet do të sillet dhe projekti, i cili do t’i dorëzohet Bashkisë së Vlorës dhe Ministrisë së Kulturës për këtë instalacion, që do të jetë dhe si një përkujtimore për të gjithë ata që humbën jetën në këtë tragjedi. Në fakt objektet e “Katerit të Radës” priteshin të vinin që dje, por anulimi i udhëtimit nga ana e tragetit për probleme teknike, bëri që ata mbërrijnë në Vlorë në ditën e 15-vjetorit të tragjedisë së Otrantos. Ndërkaq, të afërm të viktimave deklarojnë se shteti duhej të sillte anijen të plotë dhe të mos lejonin që ajo të bëhej përmendore në Itali.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›