E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i skrapit: Nard Koka, i ngarkuar për marrëdhëniet me autoritetet

Administratori i kompanisë Kurum Internacional, Koray Zeytinoglli, mund të merret në pyetje rreth diferencave mes sasisë së tonazhit që ka fituar kompania dhe sasisë së skrapit që ajo po merr në dorëzim nga kompanie nënkontraktore e lidhur me LSI

Hetimet për skandalin e skrapit në Fier janë përqendruar tek raportet mes kompanisë Kurum Internacional dhe kompanisë ndërmjetëse Sancinelli&Elite shpk, e cila është nënkontraktore për demolimin e skrapit dhe dorëzimin e tij në Kombinatin Metalurgjik. Nga hetimet e para del se personi kyç që lidh autoritetet me punonjësit e demolimit është Leonard Koka, ose siç njihen në zhargonin e rrugës Nari. Gazeta Tema ka siguruar një dokument ku tregon se kompania ndërmjetëse nënkontraktore Sancinelli&elite shpk ka autorizuar Leonard Kokën si përfaqësues të kompanisë në marrëdhëniet me autoritetet.


*Dokumenti 1: Kompania nënkontraktore Sancinelli&Elite shpk ka autorizuar Leonard Kokën si përfaqësues të kompanisë në marrëdhëniet me autoritetet

Por nëse emri i Leonard Kokës dhe kompania që e ka autorizuar tregojnë përfshirjen e fortë në këtë histori të LSI së Ilir Metës, pasi pronarët e kësaj kompanie janë njerëz të afërt të tij, nga an tjetër hije të forta dyshimi hidhen për kompaninë Kurum Internacional, e cila në këtë rast mund të rezultojë përgjegjëse për pastrimin e pareve të paligjshme që po fitohen nga ky biznes.

Nëse i hedh një sy kontratës dhe sasive që ka marrë deri më sot kompania Kurum dhe kontratës së fituar me tender, mund të rezultojnë shifra që nuk përputhen, dhe këtu jemi në fushën e një aktiviteti të paligjshëm, ose grabitje të pasurisë kombëtare.

Administratori i kompanisë Kurum Internacional Koray Zeytinoglli, mund të merret në pyetje rreth diferencave mes sasisë së tonazhit që ka fituar kompania dhe sasisë së skrapit që ajo po merr në dorëzim nga kompanie nënkontraktore e lidhur me LSI. Sipas kontratës sasia e skrapit që do të demontohet është afërsisht 1400 tonë, ndërkohë burime jo zyrtare bëjnë të ditur se sasia e përgjithshme mund të shkoj deri në 6 mijë tonë. Nëse kjo verifikohet, atëherë kemi të bëjmë me një supergrabitje të pasurisë kombëtare pa autorizim të organeve kompetente dhe përgjegjës direkt bëhet kompania Kurum, e cila pranon këtë sasi të pakontraktuara.

Dokumenti 2: Sasitë dhe çmimet me të cilat është fituar tenderi nga Kurum Internacional

Siç shihet në dokument një problem serioz përbën dhe çmimi i skrapit. Siç e kemi theksuar dhe më parë ai është dhjetëra herë më i lirë se çmimi i tregut, por rreziku real është që kompania ndërmjetëse ta shesë atë disa herë më shtrenjtë tek Kurumi se sa Kurumi ka fituar formalisht tenderin. Edhe kjo mbetet objekt hetimi nga prokuroria.

Kompania ndërmjetëse Sancinelli&elite shpk është pronë e disa njerëzve shumë të afërt me Ilir Metën, ndërsa në pjesën italiane të saj është një biznesmen shumë i lidhur dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, i cili është personi kyç që po ndërmjetëson për raportet mes Ilir Metës dhe Fullanit për çështjen e gjyqit të tij dhe rizgjedhjes së Fullanit guvernator.

Dokumenti 3: Ortakët e kompanisë Sancinelli

Hetimet deri tani kanë ecur ngadalë për shkak të presioneve të forta nga njerëzit e këtij biznesi prej Durrësi mbi prokurorinë. Shumë punonjës që po firmosin dokumente të paligjshme po inkurajohen duke thënë se çështja me prokurorinë është mbyllur me ndërhyrje nga lart, por sërish zyrtarët hezitojnë të plotësojnë gjithë kërkesat e personit që është autorizuar të vendosë marrëdhëniet mes kompanisë dhe autoriteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›