E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i varreve në Boboshticë, shtyhet për të 4-tën herë gjyqi

KORCË- Shtyhet për të katërtën herë gjyqi i skandalit të varrëve të Boboshticës. Seanca për 3 të pandehurit të akuzuar për skandalin e dhunimit të varreve në Boboshticë, u shty për në datën 8 Mars 2011.

Shkak për shtyrjen e gjyqit është bërë mungesa e të pandehurit Alqo Koroveshi. Deri tani nuk ka pasur asnjë seancë të rregullt, pasi mungesa herë pas here e njërit prej të akuzuarve ka cuar në shtyrje të seancave. Ndërkaq të pandehurit në seancën e sotme kanë ndryshuar edhe avokatin mbrojtës Arben Lena për arsye që nuk kanë preferuar t’i thonë.

Në vend të tij do të jetë avokati Nevzati Tarrelli. Skandali i Boboshticës nisi me ndërtimin e një memoriali nga organizata e Omonias mbi varrezat e vjetra të fshatit, me pretendimin se aty janë varrosur dy ushtarë grekë.

Ndërkohë që banorët e Boboshticës thonë se në këto varreza nuk ka asnjë ushtar grek të varrosur dhe aty ndodhen vetëm varret e gjyshërve të tyre, të cilat u dëmtuan dhe eshtrat u lanë zbuluar për disa ditë rresht, si pasojë e punimeve për ndërtimin e memorialit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›