Skandali me shtesën e pallatit tek ish-blloku
Skandal me shtesat e pallateve në zonën e ish bllokut. Denoncimi publik vjen nga banorët, të cilët janë ankuar në të gjitha strukturat përkatëse pa marrë asnjë zgjidhje. Bëhet fjalë për një shtesë me më shumë se 75 m2, mbi katin e katërt të një pallati që ndodhet në rrugën “Pjetër Bogdani”. Ajo duket qartazi edhe në foto. Punimet kanë nisur në muajin mars dhe kanë përfunduar në fund të gushtit të këtij viti. Sipas banorëve, ajo është tërësisht e kundraligjshme. Madje kërcënon jetën e tyre, pasi gjatë punimeve është ndërhyrë në murin mbajtës të shkallës, për të hapur një derë duke nxjerrë jashtë funksionit edhe rrufepritësin që mbulon zonën. Por, përveçse nuk është marrë asnjë masë, ndonëse janë vënë në dijeni minibashkia nr. 5, Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit, paradoksi më i madh qëndron në përgjigjen zyrtare të marrë nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik i kryeqytetit. Shkresa mban firmën e kreut të saj Afrim Qendro. “Në përgjigje të kërkesës tuaj, në lidhje me ndërhyrjen për të penguar punimet në tarracën e p.9/1 rr “Pjetër Bogdani”, ju vëmë në dijeni se nga INU-ja, Bashkia e Tiranës, ankesa u verifikua ku u vërejt ndërtim shtesë kati mbi katin e fundit të pallatit të bërë nga subjekti Thoma Çomaçka. Pas shqyrtimit të dokumenteve të paraqitura nga zoti Çomaçka, doli se ky objekt është i përfshirë në proces legalizimi. Për këtë arsye nuk mund të ndërhyhet nga ana jonë deri në shprehjen përfundimtare të ALUIZN-it”, thuhet në përgjigjen që mban firmën e kreut të inspektoratit Afrim Qendro.
Pretendimet e banorëve
Sipas banorëve, kjo shkresë është tërësisht e pavend, pasi punimet kanë nisur në mars të këtij viti kur procesi i dorëzimit të dokumentacionit për legalizim kishte përfunduar me kohë. “Nga informacionet që ne kemi, për legalizim, nuk është dorëzuar dokumentacioni i shtesës, pasi ajo nuk kishte nisur, por projekti i saj, çka përbën një tjetër shkelje. Ne kemi vënë në dijeni minibashkinë nr. 5 dhe inspektoratin që në muajin prill dhe inspektorë të tyre erdhën e verifikuan që punimet nuk ishin mbyllur”, shprehen banorët e pallatit. Ata theksojnë se janë paraqitur dhjetëra herë në dyert e bashkisë, dhe janë përcjellë pa u ndërmarrë asnjë veprim. “Ky është një konflikt mbi të cilin janë bërë kompromise në kurrizin tonë dhe në favor të familjes Çomaçka, për vetë njohjet që ka në strukturat përkatëse, ose në këmbim të diçkaje tjetër”, thonë banorët. Ata bëjnë me dije se që në muajin prill është nisur një shkresë në Bashkinë e Tiranës dhe në kryeministri, lidhur me shtesën që po ndërtohej në mënyrë flagrante. Gazeta disponon këtë letër të nënshkruar nga mbi 20 përfaqësues të familjeve që jetojnë aty. “Inspektorët e bashkisë, por edhe ata të policisë, që erdhën disa herë, na kanë thënë që kjo shtesë nuk ka për t’u prishur dhe duhej mbyllur ky muhabet. Por kjo është e patolerueshme, pasi nëse ligji u shkelka kaq kollaj, na lind e drejta të gjithëve të bëjmë shtesa në pallat, në ambientetet e përbashkëta pa pyetur njeri. Personi jo vetëm që ndërton në hapësirën e cila na takon të gjithëve, por gjatë punimeve ka prerë edhe rrufepritësin e pallatit, i cili ndodhej aty që prej 40 vjetësh”, theksojnë banorët. Sa i përket minibashkisë nr. 5, ata pohojnë se edhe kryetarja e saj është në dijeni që nga nisja e punimeve dhe as që e ka marrë mundimin të ndërmarrë ndonjë veprim. “Ne kërkojmë që kjo shtesë të prishet, të zbatohet vetëm ligji”, shprehen banorët. z.ll
“Shtesa po ndërtohet në mënyrë flagrante”
Banorët, letër të hapur dhe kryeministrit
Janë mbi 20 përfaqësues të pallatit nr 9/1 në rrugën “Pjetër Bogdani”, të cilët veç Bashkisë së Tiranës ankesën e tyre ja kanë nisur edhe kryeministrit të vendit Sali Berisha. “Sot më datë 18.04.2009, ne banorët e pallatit 9/1 rr “Pjetër Bogdani”, Tiranë (në qendër të ish bllokut), të revoltuar nga punimet e paligjshme që po kryhen në tarracën e pallatit tonë, për të cilat theksojmë se nuk kanë leje ndërtimi, donim t’ju vinim në dijeni për këtë shkelje flagrante. “Në datën 10.04.2009 erdhi Policia Bashkiake dhe pezulloi punën sepse personat, Thanas Çomaçka me të birin Alban Çomaçka, së bashku me punëtorin, në mënyrë flagrante dhe të frikshme sharruan murin mbajtës të shkallës, për të hapur derë për këtë hyrje të paligjshme. Kjo duke nxjerrë jashtë funksionin rrufepritësen që mbulon zonën. Mes shumë debateve dhe pezullimit nga Polica Bashkiake, sot ky zotëri, Alban Çomaçka rifillon punimet për shtesën e paligjshme në mënyrë arrogante dhe pa përfillur asnjë nga banorët e pallatit tonë ku jetojmë që prej 40 vjetësh. Jemi të indinjuar se përveç të tjerave na tregon se kudo që të shkojmë për t’u ankuar, rrugët e i kemi të mbyllura. Edhe njëherë theksojmë se përveç ndërtimit po rrezikohet jeta e banorëve nga prishja e murit mbajtës të shkallës prandaj kërkojmë ndërhyrjen tuaj të menjëhershme”, thuhet në shkresën dërguar Bashkisë së Tiranës dhe kryeministrit të vendit. Peticioni ka edhe firmat e banorëve.