E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE fonde për makinerinë e nxjerrjes së qymyrit për termocentralet

PRISHTINË- Kosova do të përfitojë nga furnizimi më i qëndrueshëm me energji elektrike me ndihmën e fondeve të Bashkimit Evropian.
Sot, Komisioni Evropian ia dorëzoi zyrtarisht Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK) makinerinë e rëndë të rehabilituar për nxjerrjen e qymyrit. Do të shfrytëzohet sistemi i ashtuquajtur i djerrinës për të hapur minierën e re të Sibovcit, që do të sigurojë tonelatat e para të qymyrit në termocentralet ekzistuese pas vitit 2010/11.
Qëllimi kryesor i projektit, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian me më tepër se 17 milionë euro, është të kontribuohet për një sektor të qëndrueshëm dhe financiarisht të pavarur të energjisë në Kosovë.
Zyra e Komisionit Evropian në Prishtinë bën të ditur se ky projekt ka përmirësuar makinerinë ekzistuese të rëndë të minierave të qymyrit, fillimisht e instaluar në vitin 1972. Sistemi i djerrinës do të operojë në minierën e re në jugperëndim të Sibovcit. Kapaciteti gërrmues do të shtohet me rreth 50 për qind. Mendohet se tani e tutje siguria do të përmirësohet dhe të arrijë standardet evropiane.
Pas vitit 2010/2011 minierat ekzistuese të qymyrit nuk do të jenë në gjendje të plotësojnë nevojat e termocentraleve ekzistuese. Mungesa e qymyrit mund të çojë në ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe pengimin e biznesit që do të dëmtonte tërë ekonominë e Kosovës. Ky projekt ka ndihmuar Qeverinë e Kosovës dhe KEK-në në hapjen e minierës e re në jugperendim të Sibovcit për të siguruar furnizim të mjaftueshëm me qymyr për termocentralet ekzistuese pasi që furnizimet ekzistuese u shteruan.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›