Skandali në Ndroq, plehrat e Tiranës në mes të fshatit
Skandal me mbeturinat urbane në Ndroq. Plehrat e kryeqytetit dhe nga qytete të tjera, prej disa ditëve kanë filluar të shkarkohen në një fushë, në komunën ndër më të gjelbëruar të Tiranës. Në rrethana ende misterioze është vendosur që një pjesë e mbetjeve plastike që nuk trajtohen në Sharrë, të grumbullohen në një ambjent privat, në ish- Repartin Ushtarak të Ndroqit. Vetëm një muaj para zgjedhjeve, kryetari aktual i komunës, atëhere kandidatë për këtë post, kishte premtuar një komunë të pastër dhe me kosha në çdo lagje.
Por, një muaj pas marrjes së detyrës prej tij, situata është krejt ndryshe. Prej disa ditësh, banorët e Ndroqit janë shokuar prej kësaj skene dhe rrezikut që sjell prania e mbetjeve në këtë zonë të banuar.
Megjithëse kamera e “Ora News” nuk është lejuar të hyjë në ambjente të brendshme ku ndodhen plehrat, komuna përballë interesit të grupit tonë të xhirimit është detyruar të ndërrmarrë një aksion verifikimi të situatës, ku pronari i tokës pretendon se ka një leje mjedisore për shfrytëzimin e kësaj prone për depozitimin e mbetjeve.
Situata mbetet problematike, pasi ende nuk është verifikuar zyrtarisht se me çfarë urdhëri apo leje është ndërrmarrë ky veprim, ndërkohë që banorët vuajnë pasojat që sjell ky veprim, në një zonë ekologjikisht të pastër, siç është Komuna e Ndroqit.