Merkel: “Serbia në BE, jo para 2019-tës”

Serbia është larg BE-së, të paktën edhe për tetë vite. Ky ishte qëndrimi i Gjermanisë në vitin 2009, i publikuar së fundi nga Wikileaks, e të cilin e ka dhënë kancelarja Angela Merkel.
"Serbia nuk mund të hyj në Bashkimin Evropian para vitit 2019" i ka thënë Angela Merkel presidentit serb, Boris Tadiç, gjatë vizitës së këtij të fundit në Berlin më 15 nëntor 2009. Ky lajm bëhet i ditur nga një burim diplomatik, që mban datën 7 dhjetor 2009.
Mediat kroate citojnë dokumentet, se po ashtu një punonjës i MPJ-së së Gjermanisë, i tha Ambasadorit amerikan në Berlin, se "politikanët serbë po bëjnë presion që Serbia të pranohet në BE brenda 3-4 vitesh, e që realisht situata është mjaft dramatike".
Për ta konfirmuar këtë qëndrim të Gjermanisë, kancelarja Angela Merkel ishte e ashpër edhe gjatë vizitës së fundit në muajin gusht në Serbi. Ajo kërkoi që Serbia të tregojë progres në dialogun me Kosovën, nëse dëshiron BE-në.