E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet me armë dhe maska një “Western Unionin”

Pronari identifikon nga veshja dhe trupi njeriun e maskuar, policia e shpall në kërkim. E paqartë shuma e grabitur

Memaliaj-Një grabitje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së hënës në qytetin e Memaliajt, ndërsa një person i maskuar dhe nën kërcënimin e pistoletës ka marrë shuma monetare ende të papërcaktuara nga arka e një pike “Western Union” që funksionon në këtë qytet. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, ngjarja është regjistruar rreth orës 18:45 të së hënës, në qendër të qytetit të Memaliajt.

Ngjarja

Në orët e mbrëmjes, në pikën e “Western Union”-it që funksionon në Memaliaj, ka hyrë brenda një person i maskuar, i cili mbante një pistoletë në dorë. “Ndërsa i ka drejtuar armën e zjarrit pronarit të kësaj pike, ai i ka kërkuar atij që t’i jepte të gjitha lekët që kishte në sportel dhe kasafortë”, - thonë burime policore. Vetë pronari ka tentuar të bëjë rezistencë duke e kundërshtuar personin e armatosur, por ky i fundit ka insistuar në kërkesën e tij për marrjen e lekëve. “Ai ndërsa më kërcënonte mbante vazhdimisht pistoletën në dorë dhe më kërkonte që t’i jepja të gjitha lekët”, - i ka pohuar pronari i terrorizuar policisë lokale pas ngjarjes.

Identifikimi

Nën kërcënimin e armës, grabitësi ka arritur të marrë një sasi lekësh nga sporteli, si dhe bono të ndryshme monetare, dhe më pas është larguar me shpejtësi nga pika e “Western Union”. Pronari i kësaj pike në panik e sipër ka njoftuar menjëherë policinë lokale. Pasi mbërritën në vendngjarje, krahas punës për hetimin e kësaj grabitjeje me armë, efektivat e policisë nisën hetimet edhe për identifikimin dhe ndalimin e autorit. Sipas grupit hetimor, mbështetur edhe mbi përshkrimin fizik të bërë nga pronari i “Western Union”-it është arritur të identifikohet autori i dyshuar i grabitjes. “Ai është një i ri i moshës 30 vjeç nga Memaliaj, dhe ne po punojmë për ndalimin e tij”, - thonë burimet policore. Gjatë mbrëmjes së të hënës policia ka kryer 8 kontrolle banesash në qytetin e Memaliajt, ndërkohë që ka ngritur postblloqe të ndryshme për ndalimin e autorit të dyshuar të grabitjes. Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›