Uitni dhe Bobi sërish bashkë?
Njoftohet se Uitni Hjuston dhe ish-burri i saj, Bobi Braun, dëshirojnë të bashkohen sërish. Çifti i dikurshëm, të cilët u martuan në vitin 1992 dhe u ndanë në vitin 2007, duket se e kanë “rregulluar” romancën e tyre pasi janë inkurajuar të rimartohen nga vajza e tyre 15-vjeçare, Bobi Kristina. “Uitni dhe Bobi dukeshin shumë të dashuruar ndërsa po darkonin së bashku në Xhorxhia”, - shkruan gazeta “Chicago Sun-Times”. Megjithatë, një përfaqësues i këngëtares ka thënë se, “ata janë vetëm miq të mirë, qëllimi kryesor i të cilëve është që të sillen mirë para vajzës së tyre”.
Karla Bruni do të ndihmojë në luftën kundër AIDS
Zonja e parë e Francës, modelja e shndërruar në këngëtare, Karla Bruni, do të shfrytëzojë imazhin e saj të famshëm për t’i dhënë përkrahje luftës kundër virusit vdekjeprurës, AIDS. Gruaja e presidentit francez, Nikolas Sarkozi, do të veprojë si një ambasadore e vullnetit të mirë për Fondin Global në Luftë të AIDS, si edhe sëmundjeve të tjera të rrezikshme, përfshirë tuberkulozin dhe malarien. Bruni, e cila në të kaluarën e saj ka pasur lidhje me Sër Majk Xheger, shpesh ka folur për shfrytëzimin e pozitës së saj të fuqishme për të ndihmuar në raste të ndryshme.
Kruiz “vëllazërohet” me Bekam
Aktori Tom Kruiz dëshiron ta bashkojë familjen e tij me çiftin Viktoria dhe Dejvid Bekam në një ceremoni të veçantë. Aktori do të bëjë një organizim të çuditshëm gjatë të cilit familjet do të zotohen të jenë si vëllezër dhe motra dhe të shkëmbejnë fjalime të përzemërta në shtëpinë e tyre në Nju Jork. Kjo do të jetë si një dhuratë për Ditën e Falënderimeve nga Tom. “Tom dhe Dejvid kanë qenë miq për vite dhe familjet e tyre kalojnë shumë kohë së bashku. Këtë vit, Tomi deshi të bëjë një gjest të veçantë, i cili do të tregojë se sa shumë ai e respekton miqësinë dhe mendoi se kjo do të ishte një mënyrë perfekte”, - ka thënë një burim i afërt me çiftin.
29 Nentor 2008