Skela: Mund t’ia dalim me më shumë agresivitet
Ervin Skela kërkon qetësi dhe përkushtim para ndeshjes së radhës. Ai i cilëson hungarezët një skuadër e vështirë për t’u mundur, por gjithashtu, edhe si mundësinë më të mirë që Shqipëria të bëjë kthesë pas barazimit me Maltën. “Paraqitja jonë ndaj Maltës, padyshim që nuk ishte ndër më të mirat, madje duhet thënë se skuadra nuk arriti të dilte në lojën e saj, për disa faktorë. Kjo i komplikoi disi gjërat dhe mendoj se në ndeshjen me Hungarinë na bën punë vetëm fitorja. Duhet të jemi të qetë dhe të duruar, sepse fitorja mund të merret edhe në minutën e 89-të, apo të 90-të. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të mos e nënvlerësojmë kundërshtarin, tha Skela. Skuadra hungareze ka lojtarë shumë të mirë, por edhe ne, nëse luajmë të bashkuar dhe të përkushtuar, mund të fitojmë. Mund të kishim fituar edhe në Hungari, por fati nuk ishte me ne, pasi nëse topi nuk do të ishte përplasur me shtyllën në pjesën e parë, por do të ishte futur në portë, ndeshja do të kishte marrë rrjedhë tjetër. Ne shpesh gabojmë në sulm. Mendoj se jo vetëm sulmuesit, por e gjithë skuadra duhet të jetë më agresive para portës kundërshtare dhe duhet të ketë më shumë besim në vetvete”, përfundoi mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela.