Skela dopietë, Cottbus drejt shpëtimit

Ervin Skela vazhdon të bëjë maksimumin për skuadrën e tij Energie Cottbus në luftë për të mbetur në Bundesliga. Fantazisti i kombëtares shqiptare ka shënuar dy gola për të siguruar fitoren e skuadrës së tij përballë Hertha Berlin. Ndeshja ka filluar keq për Cottbus pasi kanë qenë miqtë ata që kanë kaluar të parë në avantazh me golin e Mineiro në minutën e 21-ë. Në të 41-tën Skela ka ekzekutuar për mrekulli një gjuajtje të lirë nga një largësi prej 20 metrash duke barazuar rezultatin në 1-1. Në minutën e 62-të Cottbus ka fituar një penallti dhe përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e 11-metërshit e ka marrë mesfushori shqiptar dhe nuk ka gabuar.
Me këtë fitore skuadra e Energie Cottbus është larguar nga zona e rrezikshme për rënie në kategorinë e dytë dhe aktualisht renditet në pozitën e 15-të me 24 pikë nga 26 ndeshje.