Apolonia fiton me Lushnjën, Bylis barazim me Luftëtarin

Tension i jashtëzakonshëm gjatë dhe pas ndeshjes Apolonia-Lushnja (1-0), supersfida e nxehtë e javës së 24-t të Kategorisë së Parë, por që pati edhe një gol të anuluar të Lushnjës nga ana e anësorit Pjetrushi.
Stafi teknik me në krye trajnerin Bano dhe të gjithë lojtarët lushnjarë "mbuluan" dhunshëm anësorin, por gjyqtari i takimit (Aranit Lulaj) u mjaftua duke nxjerrë vetëm një karton të verdhë. Situata degjeneroi dhe pjesa e mbetur e ndeshjes u zhvillua në një nervozizëm total dhe duke marrë përmasa të frikshme.
Golin e vetëm të takimit e shënoi sulmuesi brazilian Xhunior Uashington duke i siguruar një tripikësh të artë Apolonisë, tashmë në vendin e dytë me 51 pikë (Lushnja, e treta me 50 pikë).
Loja i pati shumë grintë, por niveli ishte mesatar, kjo dhe për shkak të mbingarkesës psikologjikë nga dy kampet e lojtarëve.
Trajneri Haxhiu e kishte paralajmëruar: Apolonia, do të vazhdonte traditën e saj të sukseshme prej 36 vitesh rradhazi në shtëpi kundër Lushnjes. Ka fituar 1-0 në fushën e saj dhe ka bërë rrokadë me skuadrën e Artan Banos, duke i zënë vendin e dytë të renditjes, atë që mjafton për të kaluar direct në kategorinë superiore. Mbi pesë mijë vetë në tribuna; njerëz që qëndronin në këmbë pasi, stadiumi është shumë i vogël dhe për më tepër një pjesë e tij, është zënë edhe me ndërtime. Mjaft prej tyre kishin ardhur edhe nga Lushnja. Takimi filloi shpejt dhe i bukur. Të dyja ekipet marrin pjesë totalisht në takim. Në minutën e tetë, Guna depërton nga krahu i majtë, harkon në zonë e Dhrami, i vetëm përballë portierit ngurron duke vonuar në gjuajtje. Tri minuta më vonë mesfushori Guna, gjuan fuqishëm por Spaho pret mjaft bukur. Në minutën e 17-të është Dhrami që gjuan mbi vijën e zones, e Hasalla e devijon topin në korne. Ndërkohë që lushnjarët i përvishen një pune të vështirë në mbrojtje me në krye shtatlartin Shala, që rikthehet si kundërshtar në Fier. Në minutën e 21 të miqtë bien. Një sulm i shpejtë nga krahu i djathtë me anë të Metos, që harkon mjaft bukur në zonën lushnjare. Aty braziliani Junior, gjuan mjaft bukur me kokë duke kaluar Apoloninë në avantazh. Stadiumi është i gjithi në delir. Reagimi i lushnjarëve nuk është në nivelin e duhur, loja zhvillohet më tepër në mesfushë dhe sulmuesit e të dyja skuadrave nuk arrijnë të rrezikojnë seriozisht në portat respektive. Këtë e tregon dhe fakti se sulmet apo kundërsulmet e ndërmarra ishin sporadike, individuale dhe të pambështetura si duhet nga lojtarët e tjerë. Lushnja në minutat 27 e 37 me protagonist shtatlartin Sefa, ka mundësi por sulmuesi nuk ka arritur të gjuaj saktë në kuadratin e portës. Pjesa e parë është mbyllur me fierakët të kujdesshëm në qarkullimin e topit, duke kërkuar që të mos lënë hapësira për kundërshtarin. Pjesa e dytë fillon më e mirë dhe më e shpejtë për lushnjarët të cilët kërkojnë për disa minuta me insistim golin e barazimit. Por Apolonia që mbrohet mjaft mirë me në krye kapitenin Shoshi, nuk e lejon këtë mundësi. Në minutën e 55 të futbollisti i ri fierak Rohi që ka hyrë në fushën e lojës vetëm pak minuta më pare, ka ndërmarrë një sllallom fantastic duke dribluar tre mbrojtës, duke u futur në zonë dhe i vetëm me portierin lushnjar, ka gjuajtur por pa mundur të gjejë dot rrugën e rrjetës. Lojtari vetëm 17 vjec, ka entuziasmuar pa masë 5 mijë të pranishmit. Edhe veprimet e tjera të tij janë shoqëruar me ovacione. Mbas këtij momenti lushnjarët reagojnë, organizohen më mirë në mesfushë nga ku nisen dhe disa kundërsulme të njëpasnjëshme në drejtim të portës fierake. Ata kanë krijuar disa raste shënimi me anë të Celës, Bubeqit e Sefës, por pa mundur të gjejnë rrjetën. Miqtë në minutën e 79 të pas ekzekutimit të një goditje dënimi, kanë shënuar por gjyqtari anësor ka sinjalizuar për pozicion jashtë loje. Kaq është dashur dhe ky cast ka sjellë konfrontime të futbollistëve lushnjarë me gjyqtarin anësor dhe atë kryesor. Policët kanë ndërhyrë për të mbrojtur gjyqtarin anësor dhe ka pasur të shtyra të ndërsjella mes lojtarëve e policëve. Në këtë moment, një polic ka goditur me shkop gome futbollistin e Lushnjes, Polizoi Arbri. Skuadra është qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së trajnerit Bano. Në 10 minutat e mbetura nuk ka pasur asgjë për t'u shënuar, pasi loja më shumë është zhvilluar në mesfushë. Në përfundoi 1-0 sërish futbollistët lushnjar janë konfrontuar me gjyqtarët dhe vetëm ndërhyrja e forcave të rendit, i ka larguar ata drejt dhomave të zhveshjes. Gjithsesi ka qenë një ndeshje e bukur dhe fitorja e merituar. Trajneri Haxhiu ka fituar një duel personal me Banon, duke qenë se 11 shi i tij është rreshtuar më mirë në këtë takim dhe ka qenë më shumë skuadër se kundërshtari.
Në Gjirokastër, Luftëtari me barazimin 1-1 ndali Bylisin kryesues, i cili nuk u drejtua në këtë në takim nga Faruk Sejdini. Gjithsesi, skuadra ballshiote ruan ende kryesimin me 52 pikë.
KATEGORIA E PARË
JAVA 24
ADA-TURBINA 3-1
APOLONIA-LUSHNJA 1-0
ERZENI-TOMORI 0-0
BURRELI-LACI 1-0
GRAMSHI- BILISHT SPORT 2-1
LUFTETARI-BYLIS 1-1
NAFTETARI-DAJTI 2-1
SKRAPARI- TEPELENA 3-0
SOPOTI- POGRADECI 1-0
RENDITJA
Bylis 52
Apolonia 51
Lushnja 50
Burreli 46
Ada 43
Laci 43
BilishtSport 34
Pogradeci 33
Luftetari 33
Skrapari 33
Dajti 31
Turbina 31
Sopoti 27
Naftetari 27
Erzeni 24
Gramshi 23
Tomorri 20
Tepelena 10