E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela, gol ala “play-station”

Ervin Skela do të dëshironte që trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, ta niste nga ai vëzhgimin në ndeshjen emocionuese Bokum-Energi Kotbus, ku fantazisti i kuqezinjve shënoi edhe një nga gjashtë golat e krijuar në barazimin 3-3 midis dy skuadrave të Bundesligës gjermane.
Magjistari shqiptar shënoi golin e dytë të skuadrës së tij (3-2), vetëm një minutë pasi Auer (68') kishte shënuar golin e tretë për Bokum dhe ndeshja kishte marrë tone mbyllëse.
Një gol i tëri për meritë të Ervinit. Portieri i Bokumit, Lastuvska, hodhi topin në drejtim të mbrojtësit të tij, Maltric, Skela ia doli t'i rrëmbente sferën dhe realizoi me zgjuarsi me të djathtën. Ndeshja pati kohën edhe për golin e tretë të Energi Kotbusit të realizuar Jelic.
Në minutën e 89-të shqiptari u largua me duartrokitje në pritje të takimit të radhës kundër Borusias së Dortmundit, ku do të asistojë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Dhe Skela, i cili deri tani ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asistë, e ka ruajtur një dhuratë për gruan më të fuqishme në botë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›