E Shtunë, 31 Tetor 2026

KASTRIOTI - TIRANA 0 - 3. “Tris” per Memen

Sul Mema e meriton nofkën "dhelpër bardheblu". Jo pse trajneri i tretë sezonal fitoi 3-0 ndaj një ekipi si Kastrioti, por dyherë kampioni si trajner me rekordmenët shqiptarë, diti në mënyrë mjeshtërore të karikonte skuadrën ndaj krutanëve që një javë më parë fituan 3-1 me Vllazninë.
Mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro celi serinë e golave në minutën e 35-të. Për elbasanasin e 23 herë kampionëve ky ishte goli i dhjetë sezonal dhe i gjashti rresht në pesë javët e fundit të kampionatit.
Indrit Fortuzi, ikona e 13-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë dyfishoi rezultatin në minutën e 41-të. Goli i pestë sezonal i "Zogut', që shfrytëzoi mjeshtërisht gabimin e portierit zëvendësues të Kastriotit, Tafaj.
Golin e tretë për kampionët në fuqi e realizoi zëvendësuesi Jahmi Hyka. Fantazisti i ri i Kombëtares shënoi në minutën e 74-t duke mbyllur para kohe takimin me skuadrën e Vasil Bicit. Goli i parë i ish-lojtarit të huazuar te Tirana nga Olimpiakos.
Kundër Kastriotit Tirana arriti fitoren e 6-të në 14 ndeshje midis tyre (vetëm 1 fitore Kastrioti dhe 7 barazime).
Tirana ngushtoi diferencën në shtatë pikë me Dinamon kryesuese duke u futur seriozisht në lojën për titull, pasi një fitore me blutë javën e ardhshmë – fitoi fazën e parë 2-0 – do ta ngushtonte largësinë vetëm në katër pikë, kur do të duheshin edhe 12 javë të tjera kampionat. Kastrioti do të përballet javën e ardhshme me Teutën në Durrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›