E Shtunë, 31 Tetor 2026

DINAMO - ELBASANI 0 - 0. Verdheblute, dashuri me X

Elbasani arriti barazimin e dytë në dy vizitat rresht në kryeqytet. Pas pikëve të ndara 2-2 me Tiranën në javën e 18-të (që sollin edhe shkarkimin e Astrit Hafizit), skuadra e Krenar Alimehemetit ndali edhe Dinamon kryesuese në barazimin 0-0.
Një pikë e vlefshme për verdheblutë, që me mënyrën se si luajtën mund të dilnin edhe me tri pikë nga "Selman Stërmasi", por u ndalën nga ish-portieri i tyre, Elvis Kotorri.
Dinamo në dy ndeshjet e para pas rifillimit të sezonit duket se ka humbur golashënuesin e saj më të mirë. Kroati Pero Pejic, po e ndjen fort largimin e Sabino Plakut në Norvegji. Sulmuesi, 13 gola në 17 javët e para, madje autor edhe i një pokeri në fitoren 7-1 me Skënderbeun, nuk ka mundur të shënojë asnjë gol në 180 minuta, edhe pse kundër Elbasanit kishte edhe mbështetjen e Bekim Kulit e më pas edhe të Artim Pollozhanit të ardhur nga Gjermania.
Dinamo, gjithsesi mbeti sulmi më i mirë në kampionat, me 32 gola, por pa asnjë dyshim trajneri Agim Canaj ka për ta ndjerë shumë mungesën e Sabino Plakut, i cili në pjesën e parë të sezonit shënoi tetë gola.
Ky ishte barazimi i 43-të midis dy ekipeve në 110 përballjet historike midis tyre, ku kanë ndarë edhe nga 48 fitore për Dinamon dhe 19 fitore për Elbasanin.
Ndeshjen e ardhshme Dinamo do të përballet me Tiranën, ndaj së cilës humbi terrën në pikë, ndërsa Elbasani do të presë Partizanin në "Ruzhdi Bizhuta".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›